Berisha pa Bashën në Krye të PD-së, që t’i Veshë “Qyrkun” e Humbjes, po Bën Pirueta për të Justifikuar Disfatën – Shqipëria Kërkon Zgjidhje

/

2015, PD humb në zgjedhjet lokale. Përgjegjësia e humbjes iu faturua Bashës.

2017, PD del nga çadra me një marrëveshje Rama-Basha, me një Qeveri pseudo-Teknike hyn në zgjedhje dhe i humbet ato thellë. Përgjegjësia e humbjes iu faturua Bashës.

2019, PD del nga parlamenti, dorëzon mandatet. Sot, ky akt konsiderohet si gabim fatal politik. Përgjegjësia i faturohet Bashës.

2019, PD nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale, lëshon të 61 Bashkitë dhe ky vendim trajtohet dhe komentohet si vdekjeprurës politikisht për PD-në. Përgjegjësia i faturohet Bashës.

2021, PD hyn në garë parlamentare, humb sërish, por me një humbje të ngushtë në shifra absolute votash. Përgjegjësia i faturohet Bashës.

Në këto humbje dhe disfata të njëpasnjëshme Basha etiketohej si përgjegjësi, por me “bekimet” e Sali Berishës zgjidhej sërish Kryetar i PD-së me votë plebishitare.

Në vitin 2021, kur të gjithë donin dhe kërkonin largimin e Bashës, Berisha mbështeti kandidaturën e tij dhe ai fitoi sërish.

Në të gjitha këto humbje, me demokratët dhe popullin duhej të përballej Basha. Ai do të duhet të grasatonte ingranazhet që kërcisnin dhe mund të thyheshin brenda partisë, ai do të duhej të bënte edhe “pelivanin”, deri dhe cipëplasurin përballë popullit që pyeste veten:

* Është dakord Berisha me të gjitha këto, apo Basha i bën në kokë të vet?

* Kurse disa ishin të mendimit që Basha nuk bënte asgjë pa viston e Berishës.

Njëri variant apo tjetri, asnjëri nuk e zhveshin Berishën nga përgjegjësia.

I pari e ngarkon me përgjegjësi të shtuar, varianti i dytë, që Basha nuk e pyeste, e ngarkon me përgjegjësinë e mosreagimit.

Por a është Berisha nga ata që nuk reagon, kur nuk është dakord me diçka? Jo!

Nuk vonoi dhe në shtator 2021, pas vendimit për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar, për shkak të vendimit të ardhur nga ShBA që e cilësonte atë si ‘non grata’, Berisha e shkallmoi Bashën, i shpalli luftë dhe e denigroi, derisa i mori edhe vulën edhe logon e partisë.

Pra forca e Berishës ishte absolute dhe e pashtershme për të ndalur Bashën, nëse donte.

***
2025, Berisha në krye të PD-së, në përballjen me Ramën, dështon totalisht përpara autoblindës së votave socialiste, apo përpara makinerisë që prodhon me veto, vota edhe nga hiçi.

Sot, Berisha është në momentin më të vështirë të jetës, teksa nuk ka një Bashë, të cilit do i vishej qyrku i humbjes së radhës.

Teksa nuk ka një të tillë, përgjegjësinë do të duhet ta mbajë vetë.

Kjo humbje tregoi se në PD, faji nuk na paska qenë vetëm Basha, por edhe Berisha, dhe kryesisht Berisha.

***

Ishte ky Berishë që sugjeroi dhe pranoi një proçes zgjedhor me listë pjesërisht të hapur dhe pjesërisht të mbyllur.

Ishte ky Berishë që këmbënguli për votën e diasporës.

Ishte ky Berishë, që “shërbëtorët” e Bashës dhe ata që e quanin kriminel dhe të korruptuar, apo “babi i Zenit” në antifoltoret publike që organizonin me Bashën, i futi nga dritarja në PD-në e Rithemelimit dhe u dha poste drejtuese.

Ishte ky Berishë që bëri primare farsë në PD, ku mund të votonte kush të donte edhe pa qenë anëtar, mjafton të fitonin emrat që donte ai, Noka, Vokshi dhe ndonjë nëpër të.

Ishte Berisha që hartoi dhe aprovoi listat e kandidatëve. Ndoshta listat më skandaloze, më të dobëta dhe më të pista elektorale të hasura ndonjëherë në kandidaturat e PD-së ndër vite.

Ishte ky Berishë që caktoi 12 drejtues politikë dështakë dhe humbës të mëdhenj, shumica nga bashallëku, në sofrën e Rithemelimit.

Ishte gjithashtu Berisha që nuk organizoi dhe nuk mobilizoi dot PD-në për të shkuar drejt fitores.

Ishte ky Berishë që me vendimet e tij bëri që me mijëra e mijëra njerëz, mbështetës të Rithemelimit, nga gazrat dhe mbetjet në tabaka, servirur me vulë dhe firmë, nuk u shfaqën tek kutitë e votimit.

Dhe kthehemi pak në kohë, ishte po ky Berishë që pranoi të hynte në zgjedhje pa Qeveri Teknike, togfjalësh që nuk e përmendi dhe nuk e artikuloi më, që prej nëntorit 2024. Pse vallë?

Është Berisha ai që shqiptarëve u tha se, votën do e mbrojmë me gjak.

Humbja, që të djathtët e vërtetë e prisnin, erdhi. Dhe erdhi aq e thellë sa realisht është një qyrk i madh, aq sa, as Basha nuk do e vishte dot, kjo humbje është qyrk ku duhet të futet e gjithë kupola e PD-së për ta veshur dhe mbajtur, për nga masa dhe pesha.

***
Tani më, Berisha thotë se zgjedhjet u vodhën.

Po, Rama dhe makineria kanë bërë taraphanë me vjedhjen dhe manipulimin e votës, me blerjen dhe tjetërsimin e saj. Por këtë e dinte i madh dhe i vogël që do të ndodhte.

Berisha ka të gjitha të drejtat të mos njohë zgjedhjet dhe 75% e shqiptarëve nuk i njohin ato.

Prej momentit që një parti politike, garuese nuk njeh zgjedhjet, nuk duhet të hyjë as në parlament, pasi hyrja në parlament legjitimon proçesin.

Berisha flet për mosnjohje të zgjedhjeve.

Berisha flet për Qeveri Teknike dhe përsëritje të zgjedhjeve.

Por Berisha nuk është i qartë me popullin që t’i thotë nëse do të hyjë në parlament, apo jo.

Nëse Berisha me 49 të tjerët hyjnë në parlament, do të thotë se:

1. Zgjedhjet kanë qenë të shitura që në fillim, që pa u dakortësuar kodi dhe proçesi zgjedhor.

2. Gjithçka që thuhet dhe propagandohet është opium për popullin, sa të kalojë vlaga e disfatës dhe dhimbja të fillojë të zbutet.

3. Berisha dhe Rama janë bashkë dhe kjo aleancë nuk është politike, por është thellësisht ekonomike.

***
Demokratët presin nga Berisha mbledhjen e të gjitha shkeljeve të evidentuara përpara 11 majit, ditën e votimeve dhe gjatë procesit të numërimit.

PD duhet të mbledhë fakte dhe prova që kontestojnë procesin.

PD duhet të rinumërojë të gjitha votat mes filmimeve (gjë për të cilën nuk ka folur asnjëherë Berisha).

Këto fakte bëhen kauza legjitime për ndërkombëtarët dhe OSBE/ODIHR që të mos njohin zgjedhjet.

Këto fakte bëhen dokument kallëzimi në SPAK dhe ndjekje penale për Qeverinë dhe partinë pushtet.

Këto fakte dhe prova bëjnë popullin që të mbështesë rezistencën e PD-së dhe shtimin e presionit ndaj Ramës për të lënë pushtetin.

Nëse Berisha+49 hyjnë në parlament, gjithçka që thotë sot, janë pirueta për t’i shpëtuar momentit dhe vlen të braktiset masivisht.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Ndërprerje e Re e Energjisë në Spanjë: Telekomunikacioni i Vendit Jashtë Funksioni!

Next Story

Mediat Ruse: Me Një Raketë 'Oreshnik' me Koka Luftarake Konvencionale Mund të Shkatërrojmë Brigadën Gjermane në Lituani

Latest from Info