Për çfarë votojnë qytetarët në zgjedhjet lokale?
Qytetarët e politizuar votojnë të orientuar nga partitë dhe koalicionet politike.
Qytetarët e politizuar votojnë të frymëzuar nga individi kandidat.
Qytetarët e politizuar votojnë të bindur nga programi.
Orientim politik, frymëzim, bindje.
Qytetarët me përkatësi politike orientohen nga struktura e tyre politike, por i frymëzon kandidati dhe i bind programi.
Kurse zona gri e qytetarëve, ata pa përkatësi politike, indiferentë për logo apo koalicione politike, vendosjen e indikatorëve kryesorë përzgjedhës në një fushatë elektorale për Pushtein Lokal, e kanë të përmbysur.
Pra, qytetari “gri” kërkon të bindet nga një program elektoral i detajuar dhe i hartuar mirë, që nuk çedon në shifra dhe në strategjinë sektoriale zhvillimi, e bind një program që nuk ka premtime “duty free”.
Qytetarin “gri” e frymëzon individi kandidat, që duhet të mbartë veçse vlerave humane dhe profesionale, një jetë aktive të qëndrueshme publike, sociale, politike, një individ që ka lënë emrin e tij/saj atje ku ka ushtruar aktivitetin e tij/saj, padyshim duhet të jetë një njeri i papërfolur, i panjollosur, i paprekur nga afera, klane dhe kulisa.
Qytetarin “gri” nuk e orienton drejt votës përkatësia partiake, apo politike. Asfare!
Dhe duhet të dimë dhe t’i japim emfazë faktit se, nga të gjitha studimet sociale të bëra lidhur me votuesit shqiptarë, rezulton se mbi 32% e shqiptarëve i përkasin zonës gri, asaj zone indiferente për politikën dhe kandidatët, teksa askush nuk frymëzon.
***
Kandidatja e Korçës që ka prej dhjetorit 2022 që është në fushatë elektorale, që është pra në mujain e 5të të fushatës, po përpiqet dhe po bën sikur është në terren, por vihet re VETMI, ajo VETMIA E MADHE mbetur e fiksuar nga zoom-i i rrjeteve virtuale. Kandidatja është e vetme, tërësisht e vetmuar, fillikate.
Fushatën e filloi me sloganin “Ledina për Korçës”, uni i individit që duhet të jetë shërbëtor i qytetit, për kapistall të fushatës i vendosi emrin. Për rrjedhojë, dështoi sapo e përshëndeti fushatën, sapo u tha korçarëve “garoj unë për Korçën”.
Më pas slogani ndryshoi, duke përkeqësuar edhe më shumë situatën elektorale, duke treguar se kandidatja ishte dhe është jo vetëm e vetme, por e çorrientuar dhe në çedim e sipër elektoral. Slogani që pasoi “Fol sot, që të bëhesg më mirë nesër”, ishte vota e hapur që Alolli po i jepte Filos, teksa na pohonte se “jemi mirë”, por me të, mund të ishin edhe pak më mirë.
Më pas, teksa koalicioni mori formë dhe trajtë, u “futën duart” në mes dhe ku futen duart situatat janë sensualo-gllabëruese, nuk është fushë mbi të cilën mund të komentojmë, jemi gjithashtu të paaftë për të dhënë opsione, sugjerime, këshilla, apo qoftë edhe kritika, sigurisht nuk mund të jemi kurrësesi të përfshirë.
***
A ka program elektoral kandidatja e Korçës?
Nëse po, ku e ka? Pse nuk e ka bërë publik? Ka 5 muaj tashmë që është konfirmuar si foltoriste gariste për Bashkinë?
Me cilët “koka” po e hatron kandidatja, koalicioni “i duarve”, Programin për Zhvillimin e Korçës?
Kandidatja e Foltores në Korçë fatmirësisht vjen nga institucioni, kolegët e së cilës, kështu presupozohet të paktën, janë njerëzit më të arsimuar, më të formuar, ngarkuar me tituj shkencorë në fushat e tyre, mbartës të dijes, përcjellës të dijes, mund të themi elita e Bashkisë, por edhe e Rajonit. Kandidatja pra vjen nga Tempulli Universitar i Korçës, por mësoj se asnjë pedagog nuk është përzgjedhur, apo nuk është thirrur të jetë pjesë e ndonjë grupi pune që harton programin elektoral.
Kandidatja ka përjashtuar kolegët pedagogë nga hartimi i programit? Apo pedagogët kanë refuzuar të jenë pjesë e grupit të punës? Gjithmonë nëse ka një grup pune që harton ndonjë Program Elektoral për Korçën, sepse gojët e liga thonë se nuk ka ndonjë grup të tillë pune.
Po shtab elektoral ka kandidatja? Pasi korçarët po e shohin të vetmuar, buzë kanaleve, pranë koshave të plehrave, sërish pranë kanaleve, sërish pranë pirgje plehrash.
Po kandidatët për Këshillin Bashkiak ku janë? Pse nuk e pason askush kandidaten e vetmuar? Zgjedhje e saj kjo mungesë e këshilltarëve në krah të saj, apo braktisje nga ana e tyre?
Kandidatja vetë është një akademike, që jep si pedogoge lëndën e Marketing-ut. Por, sot, Korça dhe korçarët po shikojnë që nuk është në gjendje të marketojë / reklamojë / promovojë as emrin e saj, nuk është në gjendje të hedhë siç duhet, as emrin e saj në tregun elektoral.
***
Fushatë pa vizion, pa plan, pa program, pa frymë, pa organizim, pa temp, pa objektiv.
Një fushatë mjerane, aspak e denjë për Korçën dhe tejet fyese për qytetarët e saj, nga njeriu që kërkon të bëhet Qytetarja e Parë e Korçës, nga dikush që disa pretendojnë të jetë intelektuale. Kam muaj të tërë që ndjek të na paraqesë vizionin e saj për Korçën, e me këtë që deri më sot ka shfaqur, turpërohem unë për të dhe për veten.
Postimet publike në rrjetet sociale të Kandidates akademike, për ta thënë të vetmin protagonizëm të saj, do të mbahen mend në historinë e fushatave elektorale në Korçë, për nga shqipja e dhunuar, për nga gramatika e cfilitur, për nga gjuha e asgjësuar.
Korça e Mësonjëtores së Parë Shqipe, në vitin 2023, ka për kandidate një akademike, profesore të asociiuar doktore të shkencave ekonomike në krye të një fushate elektroale nga e djathta (e ashtuquajtur), që po kryen krime gjuhësore. Më tutje nuk ka! Më tutje nuk mund të presë askush, asgjë!
“ATDHEU ËSHTË GJUHA IME”, tha dikur i urti i lashtësisë.