Kështu hyri në histori grushti i rremë i Musolinit (27 – 29 tetor 1922), përmes të cilit ai erdhi në pushtet.
Benito Mussolini (1883 – 1945) e filloi karrierën e tij politike si socialist militant (antiklerikal, antikapitalist dhe antimonarkist) në dekadën e parë të shekullit të 20të dhe njëzet vjet më vonë kaloi në kahun tjetër. U bë apologjist i rivendosjes së rendit tradicional, si kreu i Partisë Nacional Fashiste, një fraksion nacionalist dhe antidemokratik, me elementë totalitarizmi.
Në korrik 1922, partia e tij numëronte 700.000 anëtarë. Me personalitetin e tij shpërthyes dhe lëvizjet e tij teatrale, ai arriti të bashkojë grupet e shpërndara fashiste, duke përfshirë në radhët e partisë së tij, militantët “squadristi” (të njohur më mirë tek ne si “kallamarët”), të cilët terrorizonin punëtorët në veriun industrial, shpesh me tolerancën e pronarëve.
Partia Fashiste nuk kishte një prani të ndjeshme, potente parlamentare, pasi kishte vetëm 35 deputetë në grupin e saj. Mussolini mund të jetë zgjedhur në parlament për herë të parë në vitin 1921 pas vitesh dështimi, por kjo nuk mjaftonte për të në atë moment kohor. Duke përfituar nga paqëndrueshmëria politike dhe kriza e thellë sociale dhe ekonomike që po kalonte Italia, ai kërkoi të merrte pushtetin. E djathta liberale, borgjezia, kisha katolike dhe ushtria e panë atë si një zgjidhje të mirë për t’i dhënë fund bllokimit politik në vend. E donin brenda dhe jo jashtë sistemit politik, sepse mendonin se mund ta kontrollonin.
Pas një greve të dështuar nga e majta në gusht 1922, Mussolini besonte se kishte ardhur momenti. Më 24 tetor, para 60 mijë fashistëve në Napoli, ai deklaroi: “Duam të bëhemi shtet!”. Mijëra anëtarë të Partisë Fashiste filluan të mblidhen jashtë Romës, nga ky fakt Kryeministri liberal në largim Luigi Facta u alarmua dhe urdhëroi që Qyteti i Përjetshëm të shpallej nën një gjendje rrethimi më 27 tetor.
Mbreti Viktor Emanuel III, jo vetëm që nuk e firmosi dekretin, por më 29 tetor pranoi që Mussolini të bënte betimin si kryeministër, ndërsa 25 mijë “squadristi” marshuan nëpër rrugët e Romës. Mbreti kishte frikë të provokonte një luftë civile, por e vërteta është se ndjekësit e Mussolinit nuk përbënin një rrezik të llogaritshëm. Mjaftoi një urdhër prej tij që forcat e rendit t’i shpërndanin. Por thamë se ‘Duçe’ kishte jo pak simpati mes atyre që ishin në pushtet. Nuk u bë ndonjë veprim potent a dinamik për marrjen e pushtetit, siç “u mburën” më vonë fashistët, por kalimi i pushtetit tek Mussolini u bë me të gjitha format e parashikuara nga Kushtetuta italiane.
Në fillim Mussolini kandidoi në mënyrë demokratike dhe madje fitoi zgjedhjet në prill 1924, me 64%, rezultat mbresëlënës përsa i përket numrit të votave të marra. Megjithatë, dalëngadalë ai po rrëshqiste drejt autoritarizmit, duke përfituar nga pavendosmëria e opozitës dhe toleranca e mbretit.
Më 31 tetor 1926, pas një atentati të dështuar ndaj tij, hoqi lirinë e fundit politike dhe vendosi regjimin e tij të ngurtë fashist, i cili zgjati deri më 10 korrik 1943, kur aleatët zbarkuan në Siçili.
Pushtetet që merren në kohë turbulancash, zakonisht zgjatin në kohë!