Rebelët Houthi të Jemenit nisën një sulm me raketa ndaj aeroplanmbajtëses amerikane Eisenhower në Detin e Kuq, në përgjigje të sulmeve amerikane dhe britanike në Jemen, tha të premten zëdhënësi ushtarak i grupit, Jahja Shari.
Gjashtë sulme amerikane dhe britanike vranë 16 persona dhe plagosën 41 të tjerë, përfshirë civilë, tha Shari në një deklaratë televizive. Sulmet në provincën Hodeidah kishin në shënjestër portin Salif, një ndërtesë radioje në distriktin Al Hoq, kampin Khalifa dhe dy shtëpi.
Ushtria amerikane dhe britanike thanë se nisën sulme kundër objektivave Houthi në Jemen të enjten për të parandaluar grupin militant, që ndërpret lëvizjet dhe transportin në Detin e Kuq të shumë anijeve të shumë vendeve. Komanda Qendrore e SHBA tha se forcat amerikane dhe britanike goditën 13 objektiva në zonat e kontrolluara nga Houthi.
Avionët luftarakë amerikanë F/A-18 të përfshirë në bastisje u ngritën nga aeroplanmbajtësja Eisenhower në Detin e Kuq, thanë zyrtarët. U përfshinë gjithashtu edhe luftanije të tjera amerikane në zonë.
Kanali i lajmeve satelitore Houthi Al Masirah transmetoi imazhe të një burri të gjakosur duke u çuar poshtë shkallëve dhe të tjerë në spital duke marrë ndihmë. Ai tha se të gjithë të vdekurit dhe pothuajse të gjithë të lënduarit nga goditjet kanë ardhur prej atje, nga aeroplanmbajtësja.