Apokalipsi – Mesazhet 7 Kishave

/

Joani e dëgjoi mesazhin, para se të shihte lajmëtarin, “dhe dëgjova pas meje një zë të lartë, si bori, duke thënë: Unë jam A dhe Ω, i pari dhe i fundit dhe çfarëdo që të shikosh, shkruaji në një libër dhe dërgoja të shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergamos, në Thiatirë, në Sardë, në Filadelfia dhe në Laodice”, Apokalipsi 1:10, 11.

Mesazhet për shtatë kishat janë të rëndësishme për tre arsye.

Së pari, ato ishin mesazhe për kisha të vërteta, specifike, që ekzistonin në kohën e Joanit në Azinë e Vogël. Është e rëndësishme t’i kuptojmë këto mesazhe sa më mirë që mundemi, duke mbajtur parasysh kontekstin historik të epokës së krishterë të shekullit të parë.

Së dyti, këto mesazhe janë të zbatueshme për të gjithë të krishterët e të gjitha kohërave që përballen me probleme dhe sfida të ngjashme. Për shembull, fakti që një i krishterë mund të humbasë dashurinë e tij “të parë” (Apokalipsi 2:4) dhe të jetë i vakët në përkushtimin e tij ndaj Perëndisë (Apokalipsi 3:16) nuk është unik për epokën e shekullit të parë. Kisha është përballur me persekutim (Apokalipsi 2:10) dhe mashtrime të brendshme (Apokalipsi 2:13, 20) shumë herë në historinë e saj. Për këtë arsye, mesazhet drejtuar shtatë kishave kanë një zbatim i përjetshëm dhe kanë të bëjnë me të gjithë të krishterët.

Së treti, shumë studiues kanë vërejtur në mesazhet drejtuar shtatë kishave një përmbledhje të historisë së Kishës së Krishterë nga koha e Joanit deri në kohët e fundit. Ka disa pasazhe që mbështesin këtë qëndrim, të cilat i gjejmë në udhëzimin e Krishtit drejtuar Joanit: “Shkruaj gjërat që ke parë, gjërat që janë dhe gjërat që do të vijnë pas këtyre”.[1] Duke marrë kuptimin e mirëfilltë të mesazheve drejtuar shtatë kishave në kohën e Joanit (kapitujt 2 dhe 3) dhe pasqyrimin e këtyre mesazheve në historinë e krishterimit nga periudha e parë apostolike e deri më sot, zbulojmë se Zoti me të vërtetë “që nga fillimi shpall fundin” (Isaia 46:10). Kur kuptojmë se Zoti e njeh historinë e botës para se të ndodhë, domethënë ai e di “fundin prej fillimit”[2], mund të jemi të sigurtë se Ai i di edhe çështjet tona personale dhe do të na bekojë kur ne i përgjigjemi udhëzimit të Tij.[3]

***

[1] Fakti që ka shtatë kisha, tregon se mesazhi i drejtohet gjithë kishës së Zotit, në të gjitha anët e tokës dhe në të gjitha epokat. Numri shtatë i jepet një kuptim profetik në Apokalips, duke folur për ngjarjet e ardhshme nga koha e Joanit (për shembull, shtatë vulat, shtatë boritë, shtatë bubullimat dhe shtatë plagët, të gjitha këto mesazhe janë profetike). Shtatë kishat të cilave u adresohen mesazhet nuk ishin të vetmet kisha në Azi ose ato më afër ishullit të Patmos ku ndodhej Joani (Troa, Mileti dhe Kolosa janë tre të përmendura në Dhiatën e Re). Kjo sugjeron që ato u zgjodhën për të simbolizuar një temë më të madhe (siç është një periudhë historike).

Për më tepër, dikush do të priste që libri i Apokalipsit të ndiqte strukturën e librit të Danielit, librit të Dhiatës së Vjetër që është identik me Apokalipsin, ku çdo vizion fillon me një referencë historike për epokën përkatëse dhe më pas fokusohet në kohët e fundit. Duke ndjekur këtë model, mesazhet për shtatë kishat janë një pasqyrë e historisë.

[2] Isaia 46:9,10

[3] Për shembull, vështrimi i parë historik i Danielit ishte fotografia në kapitullin e dytë, ku përshkruan perandoritë gjatë historisë. Por mesazhi thelbësor është se të gjitha këto perandori përfundimisht do të marrin fund dhe “Perëndia i qiellit do të ngrejë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë” Daniel 2:44.

Previous Story

Turqia i Bashkohet BRICS

Next Story

Pse Ekziston Një Ndjenjë Ekspansioni për Kohën - Shkencëtarët e Kanë Zbuluar

Latest from Info

Perëndia Trini

Që në moshë të vogël themi fjalët: “Besoj në një Perëndi…!” Kemi mësuar se Perëndia është