“Kjo do të përfundojë me zhdukjen e tyre”!
Ish presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, sulmoi edhe një herë Ukrainën dhe NATO-n, me rastin e takimit të Aleancës në Uashington dhe “paketës” së madhe të ndihmës ushtarake prej 40 miliardë dollarësh për forcat ushtarake ukrainase, në sfondin e dërgimit të Avionëve luftarakë F-16 dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot.
“Duhet të bëjmë gjithçka që “rruga e pakthyeshme” e Ukrainës drejt NATO-s të përfundojë ose me zhdukjen e Ukrainës ose me zhdukjen e NATO-s”, tha Dmitri Medvedev.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Medvedev citoi deklaratën e NATO-s në anglisht:
“Do të vazhdojmë të mbështesim (Ukrainë) në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin në NATO.”
Më pas ai komentoi në rusisht:
“Përfundimi është i qartë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që “rruga e pakthyeshme” e Ukrainës drejt NATO-s të përfundojë ose me zhdukjen e Ukrainës ose me zhdukjen e NATO-s. Ose edhe më mirë – zhdukja e të dyjave.”
Kujtohet se para fillimit zyrtar të seancës, vendet anëtare të NATO-s njoftuan se nisën transferimin e avionëve luftarakë F-16 në Forcat Ajrore të Ukrainës. Luftëtarët me shumë role “do të afrojnë paqen e drejtë dhe të qëndrueshme”, siguroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i pranishëm në kryeqytetin amerikan.
F-16 nga Danimarka dhe Holanda “do të fluturojnë në qiellin e Ukrainës gjatë verës”, tha dje Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken. Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, vuri në dukje se Belgjika dhe Norvegjia janë zotuar të furnizojnë më shumë avionë luftarakë në Ukrainë, e cila përballet me sulme të shpeshta raketore ruse kundër bazave të saj ajrore, qyteteve dhe infrastrukturës.