Do të vendosë 800,000 trupa të NATO-s.
Autostrada A2 është kyçe për lëvizjen e forcave.
Ushtria gjermane hartoi një plan në rast të një lufte të përgjithshme me Rusinë. Plani është koduar si “Operations plan Deutschland” (Operations Plan Germany), ose shkurt OPLAN DEU.
OPLAN DEU u hartua nga ekspertë ushtarakë dhe civilë, duke përfshirë njerëz të lidhur me ministritë federale, qeveritë lokale të shtetit dhe shërbimet e emergjencës.
Kodi “OPLAN DEU”
Bundeswehr ka zhvilluar një “Plani Operativ i Gjermanisë” në rast lufte me Rusinë, shkruante në Spiegel, Rasmus Buchsteiner. Ky informacion konfirmohet edhe nga Bild.
Plani merret me çështje që variojnë nga “siguria e brendshme dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike të mbrojtjes deri te planifikimi i dislokimit të milicisë dhe mbrojtjes territoriale kombëtare”, tha gjenerali gjerman i brigadës Thomas Hambach për gazetën Abendzeitung Munchen.
Plani shqyrton gjithashtu mundësinë e një lëvizjeje të shpejtë të trupave të NATO-s përmes Gjermanisë.
“Në rast të një kërcënimi serioz për krahun lindor të aleancës, forcat gjermane dhe aleate do të duhet të lëvizin nëpër Gjermani, duke përfshirë Bavarinë, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore”, tha Hambach.
“Nëse ndodh një përshkallëzim në krahun lindor të NATO-s, qindra mijëra trupa do të duhet të ridislokohen”, thotë një dokument i klasifikuar i Bundeswehr-it që përshkruan një plan veprimi në rast të një zhvillimi të tillë.
Sipas Spiegel, nëse situata përkeqësohet, planifikohet të zhvendosen rreth 800,000 trupa dhe 200,000 pajisje nga Holanda, Belgjika dhe rajonet perëndimore të vendit.
Operacioni do të zgjasë nga tre deri në gjashtë muaj dhe kalimi ushtarak mund të shtrihet në 13,000 kilometra, raportoi Spiegel.
Forcat e Armatosura Gjermane i kanë dhënë një rol kyç autostradës A2, e cila shkon nga Oberhausen në Gjermaninë perëndimore deri në unazën e Berlinit.
Garantimi i sigurisë së autostradës A2 do të kërkojë koordinim me policinë dhe shërbimet e tjera civile.
“Kollonat duhet të jenë në gjendje të ndalojnë çdo 300-500km.
Kërkohen edhe rrugë alternative, nëse autostradat kryesore nuk mund të përdoren”.
Megjithatë, pengesa është ura Hohenwarthe e gjatë gati 1.2 kilometra në lumin Elba afër Magdeburgut. Nëse shkatërrohet nga diversantë ose raketa, rruga A2 do të paralizohet plotësisht.
Detyra kryesore e Gjermanisë nën OPLAN DEU është të sigurojë trupat e NATO-s me karburant, ushqim, ilaçe dhe çdo gjë tjetër që u nevojitet për vendosjen ushtarake në krahun lindor.
“Kjo do të thotë gjithashtu se të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore si dhe infrastruktura portuale në këtë drejtim do të përdoren ekskluzivisht për qëllime ushtarake dhe transporti urban do të mbyllet plotësisht për transportin civil”, shpjegoi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane.
Përveç kësaj, një nga parashikimet e tij është ndërtimi i kampeve të të burgosurve të luftës, konfirmoi një zyrtar i Bundeswehr-it.
Vëmendje e veçantë i kushtohet çështjes së mbrojtjes civile dhe masave për mbrojtjen e popullatës civile.
Plani përfshin shndërrimin e hapësirave nëntokësore, parkingjeve nëntokësore dhe stacioneve të metrosë në strehimore, përgatitjen e spitaleve për “një fluks të madh të papritur të plagosurve për një periudhë të gjatë kohore”, racione ushqimore, mundësinë për të shpallur evakuime dhe mbi të gjitha, rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Sipas gazetës Bild, Policisë Federale do t’i jepen më shumë kompetenca. Rekrutimi gjithashtu ka të ngjarë të lejohet në Policinë Federale.