Kuptimi i Pagëzimit

/

Gjatë shekullit të kaluar mesatarja e jetëgjatësisë së njeriut është rritur veçanërisht për shkak të mjekësisë.

Bazuar në faktin se jetëgjatësia mesatare e njeriut është 75 vite, mund të llogarisim se jetojmë më shumë se 27,000 ditë. Pra, ia vlen të pyesim: cilat janë ditët më të rëndësishme të jetës së një personi?

Sigurisht një nga më të rëndësishmet është dita kur dikush lind. Një ditë tjetër e rëndësishme është dita e vdekjes së tij. Çdo varr është i gdhendur me këto dy data.

Por ka një ditë tjetër që është shumë më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me jetën tonë të përjetshme të ardhshme, dita e rrëfimit të besimit.

Unë besoj, rrëfej dhe pres!

Duke studiuar simbolin e besimit “unë besoj” zbulojmë se në tekst janë përdorur tre folje të rëndësishme: besoj, rrëfej dhe pres.

Këto folje nuk u zgjodhën rastësisht në Sinodin e Nikesë. Simboli i besimit na kujton se nuk mjafton vetëm të besojmë. Ai na thërret të ecim përpara në rrëfimin e besimit tonë dhe në pritjen e një jete me Zotin.

Folja “besoj” i referohet ndërgjegjësimit, njohjes dhe pranimit të dashurisë së Perëndisë për ne. Ajo i referohet besimit tonë në mirësinë dhe besimin e Perëndisë, se qëllimet e Tij për ne janë në thelb të mira.

Rrëfimi i besimit ka të bëjë me deklarimin, me faktin që njohim dhe pranojmë trashëgiminë tonë si fëmijë të Madhërishmit.

Me rrëfimin tonë deklarojmë se duam të fillojmë një periudhë të re në jetën tonë, e identifikojmë veten si fëmijë të Perëndisë. Ne rrëfejmë se tani e tutje do të ecim me Të.

Pasi kemi besuar dhe pohuar besimin tonë, fillojmë një jetë të karakterizuar nga pritshmëria e rivendosjes së intimitetit të drejtpërdrejtë me Zotin.

Kjo do të thotë, presim me padurim fundin e korrupsionit dhe agimin e ditës kur njerëzit do të rikthehen në përsosmërinë e tyre fillestare dhe vetë Toka nuk do të jetë më skllave e mëkatit, që ka sjellë njerëzimi.

“Unë rrëfej”

Në letrën drejtuar Romakëve, apostull Pali sqaron se një fillim i ri në jetën tonë fillon me pagëzimin, i cili është akt i kryqëzimit dhe bashkimit tonë me Krishtin:

“Ata prej nesh që u pagëzuam në Jezu Krishtin, a u pagëzuam në vdekjen e tij? Prandaj, ne u bashkuam me Të nëpërmjet pagëzimit në vdekje, që ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të ecim në ndryshimin e jetës. Sepse, nëse jemi bërë një me Të në ngjashmërinë e vdekjes së Tij, kështu do të jemi në ngjashmërinë e ringjalljes; duke ditur këtë, që Zoti ynë u kryqëzua, që të shfaroset trupi i mëkatit, që ne të mos jemi më skllevër të mëkatit” (Romakëve 6:4-6).

Apostull Pali në këtë pasazh shpjegon se pagëzimi është një akt me të cilin ne njohim dhe rrëfejmë vdekjen, varrimin dhe ringjalljen e Krishtit.

Fjala “pagëzoj” nënkupton “zhyt”. Pikërisht për këtë arsye pagëzimi, zhytja nën ujë, simbolizon vdekjen, varrimin dhe ringjalljen e Krishtit.

Fillimi i ri

Pagëzimi është një veprim që ne e kryejmë kur kemi përjetuar atë që Bibla e quan pendim.

Kuptimi i fjalës “pendim” është “të pësosh një ndryshim në formën si mendon shpirtërisht”.

Mëkati zë rrënjë dhe përfiton nga mënyra sesi mendojmë dhe ndjejmë për Perëndinë, dhe më pas ndikon në mënyrën sesi mendojmë dhe ndjejmë për veten dhe për njerëzit tanë.

Megjithatë, veprimet tona janë rezultat i mendimeve dhe ndjenjave tona. Prandaj, ne bëjmë mëkat.

Pendimi presupozon një riorientim të plotë të perceptimit dhe mënyrës sonë të të menduarit. Ne duhet të ndalojmë së besuari mashtrimet e botës dhe të fillojmë të besojmë të vërtetën e ungjillit.

Apostull Pali sërish sqaron se vetëm “…mirësia e Perëndisë ju sjell në pendim…” (Romakëve 2:4). Me fjalë të tjera, vetëm kur e pranojmë Zotin me karakterin e tij të vërtetë, fillojmë proçesin e transformimit rrënjësor, duke prekur të gjitha nivelet e jetës dhe ekzistencës sonë.

Pagëzimi si zhytje në realitetin e dashurisë së Zotit kërkon zgjedhjen e vetëdijshme të Tij, si një udhërrëfyes në jetën tonë. Pikërisht për këtë, pagëzimi është rrëfimi i fillimit të një jete të re!

Previous Story

Joe Biden Pozitiv me COVID-19

Next Story

Simboli në Bluzën e Macron, Domethënës!

Latest from Info