“Bëhuni Gati”: Kush Është “Katërshja Vrastare” që Tremb NATO-n?

/

Përgatitjet për luftë janë në rritje në Europë.

Britania tha dje se do të forcojë forcat e saj të armatosura për të siguruar gatishmërinë për t’u përballur me atë që kreu i një rishikimi të mbrojtjes e ka quajtur “katërshe vdekjeprurëse” që përfshin Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë.

Qeveria britanike emëroi dje George Robertson, një ish sekretar i përgjithshëm i NATO-s, për të udhëhequr rishikimin e forcave të armatosura të Britanisë, që do të raportojë për këtë në gjysmën e parë të vitit 2025.

Robertson, një ish sekretar i mbrojtjes në fund të viteve 1990, i cili drejtoi NATO-n nga viti 1999 deri në vitin 2003, tha se forcat e armatosura duhet të jenë gati për luftim, duke pasur parasysh nivelin e kërcënimit.

“Ne jemi përballur me një kuartet vdekjeprurës vendesh që punojnë gjithnjë e më shumë së bashku dhe ne në këtë vend dhe aleanca e NATO-s që u bashkua me kaq sukses javën e kaluar, duhet të jemi në gjendje të përballemi me këtë katërshe specifike, si dhe me pjesën tjetër të problemeve”, tha ai për mediat britanike.

Kjo është përgatitja më e fundit e luftës në vendet europiane. Apele të ngjashme kishin paraprirë në Gjermani dhe në vendet skandinave, që u fokusuan në përgatitjet e popullatës për një luftë shumëvjeçare me Rusinë.

Kryeministri Keir Starmer ripohoi angazhimin e tij për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2.5% të PBB-së në një Samit të NATO-s të mbajtur në Shtetet e Bashkuara, disa ditë pas zgjedhjes së tij, megjithëse ai nuk ka thënë ende se kur do të ndodhë kjo.

Duke shënuar fillimin e një rivlerësimi të forcave të armatosura, Keir Starmer tha se donte të rriste shpenzimet me përgjegjësi për të siguruar qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë.

Robertson tha: “Samiti i NATO-s në Uashington e bëri të qartë se sfida e Kinës është diçka që duhet marrë vërtet shumë, shumë seriozisht”.

Previous Story

Kriza e Re Financiare po Troket - Sa "Imunë" Jemi?

Next Story

A Po Zgjohet Një 'Yellowstone' i Dytë në Teksas?

Latest from Info