Edhe deputetët po ikin nga Ukraina për të mos shkuar që të luftojnë me rusët.
Deputeti ukrainas Artem Dmitruk u largua nga vendi i tij dhe iku në Itali, duke mos u pajtuar me politikat e Presidentit Zelenski.
Lajmi u bë kryefjalë në shtypin ukrainas.
Sipas autoriteteve ukrainase, deputeti 31-vjeçar u largua nga Odessa fillimisht në Moldavinë fqinje dhe më pas fluturoi nga kryeqyteti Kishinau për në Romë.
Prokuroria e Përgjithshme ngriti akuzë ndaj deputetit për plagosjen e një oficeri policie në Odessa, teksa tentoi t’i vidhte armën e shërbimit.
Dmitruk ishte zgjedhur në parlament si i pavarur në vitin 2019, më pas iu bashkua partisë së Zelenskit dhe më pas iu bashkua opozitës pro ruse, pas pushtimit rus. Së fundmi, në fakt, kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj ndalimit që Zelenski i bëri Kishës Ortodokse të Ukrainës.
Arratisja e deputetit shkaktoi reagimin e ashpër të presidentit ukrainas, i cili kërkoi që brenda dy javësh të zbatohej një plan i rreptë për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Në fund të fundit, ky plan synon të parandalojë ikjen jashtë vendit të atyre që nuk duan të luftojnë. Të cilat nuk janë të pakët.
Gjuha e fshehtë e arratisjes
Gati dy vjet e gjysmë pas pushtimit rus, Ukraina po përpiqet dëshpërimisht të mbështesë forcat e saj të varfëruara në fushën e betejës, kundër një kundërshtari më të madh dhe më të pajisur në armë. Megjithatë, shumë ukrainas ikin për të shmangur rekrutimin.
Siç raporton “The Guardian”, në Telegram janë shfaqur disa kanale, të cilat japin informacione sesi të dilni i sigurtë nga Ukraina, duke shmangur rojet kufitare. Në fakt, në Telegram përdoret një “gjuhë sekrete”, e huazuar nga parashikimet e motit: zyrtarët e kufirit janë mbiquajtur “re” ose “shi”.
Në një shkëmbim tipik mesazhesh, shtrohet pyetja “nëse janë vërejtur re në një pjesë të caktuar të qytetit dhe nëse retë kanë mbuluar ndonjë zonë”.
Për të kompensuar këtë mungesë në ushtarë, Kievi miratoi një ligj të ri për rekrutim, i cili ul pragun për rekrutim nga 27 në 25 vjeç. Megjithatë, qeveria e Kievit synon burrat ukrainas të moshës 18 deri në 60 vjeç, pa përjashtim, të cilët kanë ikur jashtë vendit. Madje Zelenski u bëri thirrje vendeve europiane ku janë strehuar refugjatët ukrainas të moshës ushtarake, që t’i lokalizojnë dhe t’i dërgojnë në Ukrainë për të luftuar.
Petro, një 40-vjeçar ukrainas me banim në Zvicër, thotë: “Nëse do të kthehesha sot në Ukrainë, do të më ndalonin shërbimet kufitare dhe do të më çonin direkt në qendrën ushtarake”.
Ka shumë histori të ukrainasve që zgjodhën të largoheshin nga Ukraina, në vend që të regjistroheshin në ushtri: Mirolav në tetor 2023 bleu një hartë për 500 dollarë, duke paguar në një faqe interneti të kriptomonedhës. I pajisur vetëm me një çantë shpine të vogël, ai eci për 24 orë në Hungari, duke kaluar pyje të tëra. Miroslav ia doli mirë dhe tani jeton në Varshavë, por shumë prej tyre, që janë përpjekur të largohen, kanë humbur jetën, shumë janë mbytur në lumin Tisza, ose janë kapur si dezertorë. Vlerësohet se rreth gjysma e atyre që tentuan të iknin, rreth 40,000 vetë deri në verën e vitit 2023, nuk arritën dot që të kalonin kufirin.
Madje shumë ukrainas thonë se po dërgohen në front pa trajnim e nevojshëm.
Sipas Jack Watling, në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, trajnimi i dhënë për rekrutët e rinj ukrainas është vetëm pesë javë.