Mediat amerikane kanë paralajmëruar orët e fundit për mundësinë e “sabotimit serioz në një pjesë kritike të rrjetit global të telekomunikacionit nënujor”.
“SHBA-ja ka zbuluar aktivitetin e shtuar ushtarak rus rreth kabllove kryesore nënujore dhe beson se Rusia tani mund të ketë më shumë gjasa të kryejë operacione të mundshme sabotuese që synojnë çaktivizimin e një pjese kritike të infrastrukturës së komunikimit në botë”, raportoi CNN, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.
“Ne shprehim shqetësimin tonë për aktivitetin rus. Moska vazhdon të zhvillojë aftësitë detare për sabotim nënujor përmes një njësie të mirëmbajtur që operon me anije sipërfaqësore, nëndetëse dhe drone detare”.
Siç raportohet, Marina Amerikane dhe shtetet e veriut europian shumë shpesh vëzhgojnë anije luftarake ruse që lëvizin në zonat detare nën të cilat ndodhen “infrastrukturat kritike teknologjike”.
“Në vitin 2023, një hetim i përbashkët nga transmetuesit publikë të Suedisë, Danimarkës, Norvegjisë dhe Finlandës zbuloi se Rusia ka një flotë anijesh të dyshuara spiunazhi që operojnë në ujërat e Europës veriore me qëllim të sabotimit potencial si kabllot nënujore, ashtu edhe parqet e erës”.
Përsëri faji mund t’u vihet “rusëve të këqij”, megjithatë është e qartë se në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të luftës Rusi-NATO, ku infrastrukturat tani po vendosen hapur brenda Rusisë, infrastrukturat mbi të cilat bazohen telekomunikimet e sotme, do të jenë ndër “viktimat e para”!
Një sulm i koordinuar nga një grup ushtarak elitar mund “të verbërojë” kontinente të tëra në një kohë të shkurtër!