“E nevojshme për të shmangur fatkeqësi dhe kaos”, thonë.
Burgjet e Mbretërisë së Bashkuar kanë filluar të lirojnë në masë shkelësit, si pjesë e një plani të qeverisë për të trajtuar mbipopullimin e burgjeve në të gjithë vendin, sipas raporteve të mediave.
Sipas informacioneve, plani do të parashikojë lirimin e parakohshëm të 5,500 personave vetëm në shtator dhe tetor.
Më shumë se 1,700 të dënuar u liruan të martën në Angli dhe Uells, ku popullsia e burgjeve arriti në 88,521, numri më i lartë të të gjitha kohërave.
Gazeta Mirror raportoi se të burgosurit u panë duke u larguar nga burgu HM Brixton të martën.
Ata që vuajnë dënime të shkurtra, duke përfshirë hajdutët dhe grabitësit e dyqaneve, pritet të jenë në mesin e të liruarve më herët.
Sekretarja e Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar Shabana Mahmood tha se masa po zbatohet “për të shmangur fatkeqësinë” duke qenë se vetëm rreth 1,000 vende kishin mbetur bosh.
Programi i lirimit të parakohshëm nuk do të zbatohet për askënd të dënuar për vepra të dhunshme, seksuale, ose të lidhura me terrorizmin.
Këto sqarime janë bërë pas reagimeve të forta me dëgjimin e planit për lirimin masiv të të dënuarve.
Të burgosurit me 4 vite dhe më pak, mund të lirohen pas vuajtjes së 40% të dënimit.
Kryeinspektori i burgjeve të HMP-së, Charlie Taylor, tha për Sky News se plani është “i rrezikshëm” dhe mund të krijonte “më shumë kaos në komunitete”.
Ndërkohë, kryeinspektori i provës, Martin Jones, i tha BBC-së se është “e sigurtë” se disa nga të liruarit do të rikthehen shpejt në burgje.