Tendenca për protagonizëm, përdor individin për ta kthyer lenten, fokusin, gjithmonë e më shumë në ato instrumenta, që i ofrojnë atik aprovimin e shoqërisë për të, aprovim për të cilin, personi është në agoni të vazhdueshme.
Ky është momenti kur protagonisti patologjik me lente rozë, krijon realitetin që ëndërron të jetojë dhe shndërrohet në karakterin kryesor të një filmi hollywood-ian. Disi kështu, partitë politike mes kamerave dhe rrjeteve sociale sollën në sipërfaqe Sindromin e Protagonistit.
Horizonti i Sindromës së Protagonistit
Në thelb, Sindroma e Protagonistit është një term ende i ri dhe jo përfundimisht i definuar, do të pasurohet me elementë shpjegues me kalimin e kohës, jo vetëm si fenomen social, por edhe shkencor. Në linja të përgjithshme lidhet me një fashë sjelljesh dhe mendimesh që kanë të bëjnë me atë sesi paraqes, prezantoj në publik atë që jam.
Përkatësisht, një individ, ky atom i shoqërisë, e imagjinon veten si protagonist, në një lloj versioni fantastik të jetës së tij (kryesisht të jetës së tij, por edhe të ndonjë tjetri pranë tij, që i duhet). Më pas, këtë “jetë” e shfaq televizioneve dhe Rrjeteve Sociale. Në këtë rast, mund të themi se personi ndërton një personalitet “protagonisti”.
Psiko-sindromë apo diçka tjetër?
Në këtë pikë vlen t’ju sqaroj se sindromi në fjalë nuk është i njëjtë me një strategji vetëprezantimi. Padyshim që çdo individ prezanton anë të ndryshme të vetvetes, të përshtatura sipas situatave, rrethanave.
Trupëzimi dhe integrimi i strategjive të ndryshme të vetëprezantimit, në repertorin e sjelljeve të personit, me qëllim shpalosjen e anëve të personalitetit të tij, është absolutisht i pranueshëm. Në realitet, kjo formë veprimi mund t’i bëjë ndërveprimet sociale më të thjeshta, apo më të besueshme.
Në të kundërt, të sa më sipër, personat me Sindromën e Protagonistit duket se investojnë hiperpërpjekje në mënyrë që të shfaqen si dikush tjetër, si diçka tjetër, si dikush pa të meta, që i shkon dhe i përafrohet një figure, apo karakteri kinematografik.
Për rrjedhorë, Sindroma e Protagonistit ndan në mënyrë specifike karakteristika me psikosindroma të tjera, si çrregullime narkistike të personalitetit dhe çdo çrregullim tjetër që merr fuqi, energji mes çrregullimit të mbrojtjes së një pseudoimazhi të vetvetes.
Prezenca potente e fantastikes imagjinare, në thelb, ngjan se e frenon personin nga të qënit i ndërgjegjshëm për dobësitë e tij. Kështu, personi zgjedh mekanizma mbrojtjeje shmangës, në mënyrë që të ruajë pozicionin e tij, për të mos u rrënuar.
Duke zbuluar ato që quhen “red flags”
Cilët janë “flamujt e kuq” (red flags) që në thelb shfaqin dhe na sigurojnë për prezencën e Sindromës së Protagonistit?
“Gjithçka vjen rrotull rreth meje”
Nëse dikush ndjehet vazhdimisht se është në qendër të vëmendjes, ndërsa të tjerët rreth tij janë në një plan të dytë, kjo është një shenjë. E dhënë kryesore e këtij karakteri që shfaq mendimin apo konceptin e vetvetes si dikush që protagoniston në këtë botë, ashtu pikërisht siç e ka në mendje, siç e ëndërron dhe shpesh të nxjerrë nga film.
“Jeta ime është e përsosur”
Duhet të nënvizojmë se Sindroma e Protagonistit nuk është thjesht sëmundje psiqike, por edhe një kulturë ‘pop’ e ekranit dhe Medias. Për pasojë, “red flag” është paraqitja e filtruar e së përditshmes, duke shfaqur një imazh të rremë nga këta protagonistë që duan t’i bëjnë përshtypje njerëzve dhe të tërheqin vëmendje.
Gjithashtu, personi me Sindromën e Protagonistit përpiqet të ndërtojë personin e tij mediatik, të ekranit, duke bërë përzgjedhje të kujdesshme, duke investuar kohë për kujdes dhe korigjime estetike në fizikun dhe fytyrën e tij, që janë “materia” e paraqitjes së tij. Pyetja që shtrohet është: Çfarë mund të ndodhë, nëse një person (apo më shumë) e sulmojnë këtë “rruzull”, këtë “botë” të pëkujdesur me detaje?
Mospranim kritike
Personat me Sindromën e Protagonistit shpesh inatosen kur hasen me kritila apo me humor të hidhur, pasi vështirësohen që të mund të ndajnë këshillën nga prosvalja. Këta persona besojnë se çdo lloj kritike bazohet te xhelozia dhe është diçka që vë në kërcënim imazhin e tyre. Kjo shpesh i bën lektikisht agresivë dhe në prapaskenë asgjësues.
Romantizimi i situatave të vështira
Në çdo film, protagonisti përballet dhe ja del me një pengesë apo me një vështirësi, përballet derisa të gjendet një zgjidhje që do të japë një “happy ending”. Të gjithë ata që vuajnë nga Sindroma e Protagonistit, shtyhen të romantizojnë vështirësitë e tyre, në vend që të kërkojnë për zgjidhje reale dhe me fondament, ndërkohë që vazhdojnë dhe ëndërrojnë fundin për mirë.
Historia e njerëzimit na tregon dhe vërteton se fundi i protagonistit patologjik, psiko-protagonistit ka qenë gjithmonë fatal. Pse?
Sepse janë të gjithë njerëz me nën mesataren e aftësisë së logjikës, intelektit, mund të themi se janë persona me aftësi të kufizuara të fjalës, artikulimit dhe argumentimit, por kanë qëllimin, protagonizmin, një protagonizëm që i heq zvarrë dhe i gjakos pafundësisht, derisa largohen nga kjo jetë.
Këta personazhe të shoqërisë, marrin fund edhe për një shkak tjetër. Pasi janë të vetmit njerëz që mendojnë vetëm për veten, për pseudo-imazhin, për epiqendrën, për protagonizmin. Edhe kur i shërbejnë si skllav dikujt tjetër, e bëjnë për vete dhe vetëm, derisa prekin tradhtinë dhe vrasin padronin. Në të gjitha këto marrëdhënie përfundojnë me armiqësi të përjetshme dhe zakonisht asgjësohen prej tyre.
***
Sa më sipër është edhe deputeti i Bashës, Salianji, tipik i personit me Sindromën e Protagonistit.
Në ditën e marrjes së një vendimi të formës që prerë që e dënon me burgim, Salianji u end dhe u telendis ekraneve televizive, me përçartje dhe përsëritje frazash bajate, me akuza të vonuara, të fëlliqura, për të rrëmbyer sërish vëmendje, për të bërë sërish protagonistin edhe me tragjedinë e tij.
Çfarë ndodhi mbrëmë?
Salianji vërtetoi se është një psiko-protagonist që shqyhen edhe sarkën e tij, vetëgjakoset, një atomokton vetëm për të rrëmbyer vëmendjen.
Salianji vërtetoi se është shembulli më i pashembullt i një politikani që cipa e munguar i duket sakrificë opozitare.
Asfare!
Salianjë, Bashë dhe të ngjashëm janë gangrenë në politikën shqiptare, do të guxoja të thosha, fatkeqësi.
Humbjet e Salianjit dhe Bashës, si dhe shpurës së sallahanës dhe mejhanës politike të opozitës, janë humbje të turpshme për nga forma dhe përmasat.
2011, Salianji ende i “qumësht” nga UET-i i Henrit, humbi thellë në Korçë në zgjedhjet bashkiake, ku u zgajt për PR-in e kandidatit dhe jo vetëm.
2013 Salianji drejtor (kryeavokati i popullit të Bashkisë) në Bashkinë e Tiranës, ishte pjesë e humbjes së madhe.
2015, Salianji humbës në katastrofën e Bashkisë së Durrësit, ku dogjën me dashje dhe e groposën kandidaten e PD.
2017, Salianji ishte bashkëhartues i listave me Bashën, kur asgjësoi dhe pushkatoi politikisht baronët e politikës, njerëz me vlera, doli në krye psiko-protagonisti dhe siguroi humbjen më të thellë të mundshme. Në Korçë ku kandidonte për deputet, as në fshatin e tij, në Lozhan, nuk fitoi dot, humbi edhe atje thellë-thellë.
2019, Salianji doli nga parlamenti dhe ja la pushtetin Ramës.
2019, Salianji pranoi të mos merrte pjesë në zgjedhje.
2021, Salianji riharton listat e deputetëve me Bashën, në Korçë kryeson listën dhe pas emrit të tij vendos në listën e sigurtë, një demente politike që nuk i merrte vota. Kryetarin e degës së PD Korçë, që merrte vota, e la numrin 6 në listë, që konsiderohej e pamundur hyrja e tij, për ta demoralizuar që të mos kërkonte vota për emrin e tij. Salianji nuk konkuroi në Bashkinë Maliq, të fshatit të tij, por në Korçë. Pse? Sepse në zonën e tij nuk bënte dot asgjë, nuk merrte dot vota, në Korçë mund të lëvizte me të gjitha format e mundshme, edhe për shkak të demografisë. Në Korçë dhe në të gjithë qarkun u dha direktivë edhe nga qendra që duhej të votohej Salianji, numri një i listës, sepse Salianji duhet të merrte shumë vota që të barazohej me Peleshin, që nuk ndodhi në fakt.
Sa lekë ka shpenzuar Salianji për blerje vote? Këtë pyesin njerëzit. Kush e shoqëronte atë dhe çfarë paudhësish ndodhnin në Korçë, e dinë shumë mirë të gjithë. Dhe sigurisht, Salianji dhe opozita humbën në Korçë, sepse as vetë demokratët nuk e votuan. Por psiko-protagonisti nuk pati turp që për 3 vite të thotë, “kam fituar në Korçë”, dhe askush nuk e kundërshton në panelet televizive për këtë mashtrim të shëmtuar.
2021, nga shtatori dhe deri në mars 2024, Salianji nuk shkeli asnjëherë në Korçë, pasi e kishte dëbuar kryesia e Degës dhe kryetari i saj. Deputeti nuk shkeli asnjëherë në zonën ku u zgjodh.
2021, Salianji ishte në sinkron me Bashën për të nxjerrë Saliun non grata dhe e dinte paraprakisht, pasi e fliste këtë tavolinave ku pinte kafe, shoqëruar me fraza, si: “do e zhdukim plakun”, etj.
2021, bën një kongres me Bashën dhe lidh besën me të, që e zgidhi vetëm pas pak muaj.
2022, janar me shkopinj në duar mbronte selinë dhe Bashën nga Berisha dhe demokratët. Dilte në ekrane dhe deklaronte që Berisha është një hiç tani më. Pas ca muaj u struk në poturet e Saliut.
2022, ndahet nga Basha dhe mbetet elektron i lirë ky psiko-protagonist.
2023, nuhati fitoren në Bashkinë e Kavajë dhe shkoi të lëpinte pak nga trofeu, si dhe të rrëmbente pak rrezatim nga fitorja, një fitore në të cilën nuk pati dhe nuk ka asnjë kontribut dhe atribut. Këtë e thonë vetë kavajasit.
2023 kalon përfundimisht me Rithemelimin. Lëpiu atë që kishte pështyrë, lëpiu maskaranë, llumin, non gratën Berisha (kështu e karakterizonte).
2024, drejtësia i mbylli karrierën politike Psiko-Protagonistit Salianji dhe kështu jetuan ata mirë dhe ne akoma edhe më mirë.
***
SHËNIM:
Pas deklaratave të mbrëmshme të Salinjit ekraneve televizive, në përçartjen dhe në mungesën totale të kontrollit, emocional dhe i kapluar nga çrregullime, teksa ndërroi disa kanale në 2.5 orë, bëri akuza që do të duhet t’i provojë.
Dyshoj që teksa është në burg tani më, do të ketë të tjera padi dhe gjykime që do ja shtojnë vitet e dënimit.
Kush akuzon ka peshën e provës!