Ai goditi ish-in e tij dhe la shtatzënë dadon e vajzës së tij.
Mediat ndërkombëtare nxjerrin në dritë aspekte të së kaluarës së tij me incidente në vitin 2008 dhe vitin 2012. Dhuna thuhet se kishte ndodhur në Festivalin e Filmit në Kanë.
Informacioni i ri që del në dritë për sjelljen e papërshtatshme dhe abuzive të bashkëshortit të saj Douglas Emhoff në marrëdhëniet e kaluara, është një goditje nën brez për kandidaten demokrate për president, Kamala Harris.
Fakti është se informacionet e reja që qarkullojnë në internet njollosin imazhin e Harris, theksojnë gazeta gjermane Bild dhe britanikja Daily Mail. Akuzat ndaj 59-vjeçarit Emhoff janë tronditëse dhe vënë në pozitë të vështirë zv.presidenten aktuale të SHBA-ve, pretendon Daily Mail.
Ky është skandali i parë që njollos imazhin e Kamalës dhe ka dalë në dritë pak javë para zgjedhjeve të 5 nëntorit, duke u bërë “gjalpë për bukën” e kandidatin republikan, 78-vjeçarit Donald Trump.
Incident në një gala bamirësie në Kanë.
Emhoff, një ish avokat i cili, që kur gruaja e tij u zgjodh zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara, ka njoftuar se do të pushojë së punuari, dyshohet se ka goditur brutalisht në fytyrë të dashurën e tij të atëhershme, më 24 maj 2012, pas një gala bamirësie gjatë Festivalit të Filmit në Kanë.
Kjo gala u ndoq nga shumë të famshëm duke përfshirë aktorët Antonio Banderas, Alec Baldwin, stilisti legjendar Karl Lagerfeld dhe Paris Hilton. Sipas raportimeve, partnerja e Emhoff u godit me shuplakë para Hotel du Cap, aq fort sa viktima bëri një kthesë 180 gradë. Arsyeja pse e ka goditur ka qenë xhelozia, siç nënvizojnë informacionet.
Çifti po prisnin një taksi kur vajza hapi çantën dhe i dha para një punonjësi të eventit për t’i shërbyer menjëherë. Veçse përveç parave që i dha, i vuri për pak dorën mbi sup. Emhoff mendoi se ajo po flirtonte me të, sipas raportit të cituar nga mediat ndërkombëtare.
Një i njohur i çiftit në atë kohë tha për Daily Mail se viktima ka telefonuar taksi, duke qarë pas ngjarjes dhe ka përshkruar me detaje tmerrin që ka përjetuar. Gruaja, me emrin e koduar “Jane”, është një avokate e suksesshme në New York. Dy miq të tjerë të saj konfirmuan për gazetarët marrëdhënien personale që kishte me Emhoff prej tre muajsh. Përveç kësaj, ka edhe foto që i tregojnë ato krah për krah.
“Jane” nuk ka komentuar pas zbulimeve.
Pas zbulimeve në media, Emhoff u detyrua të pranonte se kishte pasur një lidhje me dadon e vajzës së tij, Nayenne Naylor, gjatë martesës së tij të parë në vitin 2008.
“Jane” deklaroi se Emhoff i kishte thënë asaj se, dado kishte mbetur shtatzënë, por më pas kishte bërë abort. Më pas ajo e kishte akuzuar atë se ishte përgjegjës për abortin. Dado, megjithatë, pretendon se prokurori i përgjithshëm e zgjidhi çështjen duke i dhënë si dëmshpërblim 80,000 dollarë.
Në të njëjtën kohë, Douglas Emhoff shfaqet i buzëqeshur në krah të bashkëshortes së tij, duke e mbështetur atë me të gjitha mundësitë, siç pretendon ai. Së fundmi, në fakt, ai ishte shfaqur në një studio televizive si mbështetës i grave kundër “toksicitetit mashkullor”.
Ish sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tani një reportere për MSNBC, nxitoi ta lavdërojë atë gjatë një interviste të dielën, duke e përshkruar atë si një person që ndihmoi në ndryshimin e “perceptimit të mashkullit”. Emhoff tha se ai ka qenë mbështetës i grave gjatë gjithë jetës së tij: “Unë kam qenë gjithmonë kështu!”
Gazeta gjermane komenton gjithashtu se ky episod nuk dëmton vetëm reputacionin e avokatit 59-vjeçar. Zëvendëspresidentja në largim e SHBA-ve ka thënë vitet e fundit se gratë që kanë qenë viktima të sulmeve seksuale, duhet “të besohen pa asnjë ‘por'”.
Normalisht, reagimet e para të Kamala Harris ndaj zbulimeve tronditëse, që inkriminojnë bashkëshortin e saj në sjellje të ashpra me femrat, duhet t’i bëjnë jehonë deklaratave të saj të mëparshme: “Beso viktimën!”, komenton gazeta Bild.