Arsyeja e konfliktit është sulmi i Izraelit në një kamp të OKB-së.
Kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu dhe presidenti francez Emmanuel Macron po shkëmbejnë debat publik, pas një telefonate më herët sot për të diskutuar konfliktin midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Në veçanti, presidenti francez tha më herët gjatë ditës së sotme se kryeministri i Izraelit nuk duhet “të anashkalojë vendimet e OKB-së”, sipas personave që kanë marrë pjesë në kabinet, duke kujtuar se shteti i Izraelit është “krijuar” me një vendim të OKB.
“z.Netaniahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua nga një vendim i OKB-së”, tha Macron, duke iu referuar votimit të nëntorit 1947 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi planin për ndarjen e Palestinës në një shtet hebre dhe në një shtet jo hebre.
“Rrjedhimisht, tani nuk është koha për të anashkaluar rezolutat e OKB-së” vazhdoi ai, duke komentuar ndërhyrjen tokësore të forcave izraelite në Libanin jugor, ku është vendosur forca paqeruajtëse UNIFIL.
Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së thotë se vetëm ushtria libaneze dhe misioni paqeruajtës jakëblu lejohen të vendosin forca në Libanin jugor dhe vendos një ndërprerje të armiqësive në të dyja anët e kufirit. Netaniahu pretendon se Hezbollahu po përdor objektet dhe pozicionet e UNIFIL si mbulesë për të nisur sulmet ndaj Izraelit. Të dielën, ai i bëri thirrje shefit të OKB-së Antonio Guterres që të dërgojë paqeruajtësit “menjëherë”.
Përgjigja e Netaniahut.
Kryeministri izraelit iu përgjigj komentit të presidentit francez, duke i thënë se krijimi i Izraelit ishte rezultat “i luftës së pavarësisë” të vitit 1948 dhe jo një vendim i OKB-së.
“Një kujtim për presidentin e Francës: nuk ishte rezoluta e OKB-së që krijoi shtetin e Izraelit, por fitorja e arritur në luftën e pavarësisë, me gjakun e luftëtarëve heroikë, shumë prej të cilëve ishin të mbijetuar të Holokaustit, kryesisht regjimi i Vichy në Francë”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.
Në bisedën telefonike mes dy liderëve, Netaniahu tha gjithashtu se ai kundërshtoi një “armëpushim të njëanshëm” në Liban, sepse “nuk do të ndryshonte situatën e sigurisë”.
Për një vit, Izraeli dhe grupi shiit libanez Hezbollah, një aleat i Hamasit palestinez, kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit. Ky konflikt është shndërruar në një luftë të hapur prej tre javësh.