Më herët të premten, Jordania u bëri thirrje qytetarëve të saj që të largohen nga Siria sa më shpejt të jetë e mundur.
Shtetet e Bashkuara të premten u bënë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Siria, ku rebelët e udhëhequr nga islamistët kanë pushtuar disa qytete strategjike, ndërsa vazhdojnë përparimin e tyre.
“Departamenti i Shtetit u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Siria, ndërsa opsioni i fluturimeve komerciale është ende i disponueshëm”, thuhet në mesazhin e Departamentit të Shtetit të postuar në platformat e mediave sociale.
Më herët të premten, Jordania u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të saj që të largohen nga Siria sa më shpejt të jetë e mundur, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e tyre për shkak të “zhvillimeve” në vendin fqinj.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme jordaneze tha se një ekip i menaxhimit të krizës kishte marrë përsipër përpjekjet që synonin largimin e jordanezëve nga Siria dhe riatdhesimin e tyre të sigurtë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ndërkohë, Iraku u ka bërë thirrje qytetarëve të tij në Siri, që dëshirojnë të kthehen në shtëpi, të kontaktojnë ambasadën irakiane në Damask për të regjistruar të dhënat e tyre.