Asma al-Assad: Lindur në Londër dhe me një karrierë në sektorin bankar, përkrah Basharit.
Me një diplomë nga King’s College, ajo punoi me Deutsche Bank dhe JPMorgan, por më në fund u bë zonja e parë e Sirisë.
Nga një simbol i fuqizimit të grave në botën arabe, ajo u identifikua me regjimin.
E ardhmja e ish diktatorit të Sirisë nuk dihet, por pas arratisjes së tij nga vendi, ai dhe familja e tij tani gjenden në azil politik në Rusi. Megjithatë, me interes është rasti i gruas së Bashar al-Assad, Asma, e cila nga arsimimi i saj në kolegjet më të mira dhe me një karrierë në sistemin bankar, u bë zonja e parë e Sirisë për më shumë se dy dekada.
Asma Al-Assad dikur ishte një simbol i çlirimit dhe modernizimit në Lindjen e Mesme, por sot ajo është sinonim i dinastisë së bashkëshortit të saj. Me origjinë nga Londra dhe me një karrierë në sektorin bankar, Asma e gjeti veten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare përpara se zhvillimet e përgjakshme në Siri ta shndërronin imazhin e saj në një figurë zemërimi.
Asma lindi në 1975 në Londër, vajza e kardiologut të suksesshëm Fawaz Ahras dhe diplomates Sahar Ahras.
Pas studimeve në Queen’s College dhe diplomimit në King’s College në vitin 1996 me një diplomë në shkenca kompjuterike dhe letërsi franceze, ajo filloi një karrierë të shkëlqyer në investime, duke punuar me kompani si Deutsche Bank dhe JPMorgan.
Në vitin 2000, ajo u martua me Bashar Al-Assad, i cili mori pushtetin në Siri pas vdekjes së babait të tij, Hafez Al-Assad. Prania e saj pa shami, stili i saj i sofistikuar dhe paraqitjet e saj ndërkombëtare e bënë atë një simbol të fuqizimit të femrës në botën arabe.
Në vitin 2010, revista Vogue e përshkroi atë si një “Trëndafil në shkretëtirë”, duke nënvizuar imazhin e saj si një Zonjë e Parë në modë dhe e sofistikuar.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi në vitin 2011, kur Siria u zhyt në një luftë civile që ekspozoi shtypjen e popullit nga regjimi Assad.
Asma, e konsideruar fillimisht një “modernizuese”, u lidh më pas me diktaturën dhe luftën. Lufta ka lënë qindra mijëra të vdekur dhe miliona të shpërngulur, duke shkatërruar imazhin e Sirisë si një vend dikur i hapur dhe progresiv.
Gjatë konfliktit, Asma mori një rol aktiv në ekonominë e regjimit, duke organizuar rrjete kontrolli që përfshinin shpërndarjen e ndihmës humanitare, aksesin në internet dhe subvencionet ushqimore. Kritikët e saj e quajtën atë “Zonja Makbeth”, pasi ajo e përdori rolin e saj për të forcuar pozitën e regjimit dhe për të siguruar mbajtjen e pushtetit.
Diagnostikimi me kancer të gjirit në vitin 2018 dhe vdekja e vjehrrës së saj në 2016 e sollën atë përsëri në qendër të vëmendjes, por përfshirja e saj në administrimin e regjimit tani kishte gërryer imazh pozitiv që ajo kishte krijuar. Në të njëjtën kohë, protestat për veprimet e regjimit çuan në tërheqjen e intervistës së saj nga Vogue në vitin 2012.
Me afrimin e 24-vjetorit të martesës, çifti ka të ngjarë të festojë në rrethana larg luksit të pallatit në Damask. Rënia e Asma Al-Assad pasqyron tragjedinë e Sirisë, e cila është kthyer nga një vend shprese dhe përparimi, në një fushë vuajtjesh të paimagjinueshme.
E ardhmja e familjes Assad duket se do të vazhdojë në Moskë, ndërsa vetë Asma mbetet një figurë që do të ndjekë përgjithmonë historinë e vendit të saj.