“Kemi shkurtuar vendet e punës për pesë 3-mujorë radhazi!”
Tre vite pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë, BE-ja dhe aq më tepër Gjermania, e konsiderojnë të nevojshme rivendosjen e gazit natyror rus në furnizimin e Europës, pasi ata kuptojnë se ndërsa më parë ishin tërësisht të varur nga energjia ruse, tani janë të varur nga LNG-ja amerikane.
Në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera, ata kuptuan se nuk mund ta zëvendësojnë energjinë ruse me energji ekuivalente amerikane me çmime të favorshme për vendet europiane gjatë presidencës së Donald Trump.
Në fund të fundit, presidenti amerikan po vendos tarifa për të ulur deficitin tregtar të SHBA-ve me BE-në.
Një mënyrë edhe më e mirë për t’i bërë industritë europiane jokonkurruese është t’u mohohet aksesi në energji të lirë.
Në realitet, nuk ka asnjë arsye për të ofruar LNG amerikan me çmime të ulëta për vende si Gjermania, e cila është një nga rivalët kryesorë ekonomikë të SHBA-ve.
Kompanitë e mëdha të BE-së kanë thënë se importimi i gazit rus, përfshirë nga gjigantit shtetëror rus Gazprom, “mund të jetë një ide e mirë”.
Vihet re se Bashkimi Europian ishte zotuar të ndalonte importet e energjisë ruse deri në vitin 2027.
BE-ja ka pësuar tashmë humbje të konsiderueshme ekonomike nga kjo zgjedhje, por tani që bisedimet me gjigantin e gazit të lëngshëm natyror Katarin, për më shumë gaz natyror, kanë ngecur dhe ndërsa burimet e rinovueshme të energjisë jo vetëm që nuk mund të plotësojnë boshllëqet, por janë edhe jashtëzakonisht të kushtueshme, europianët e kanë kuptuar se duhet të ndryshojnë menjëherë kursin.
“Nëse ka një paqe të arsyeshme në Ukrainë, ne mund të kthehemi në flukset prej 60 miliardë metra kub, ndoshta 70, në vit, duke përfshirë LNG”, tha Didier Holleaux, nënkryetar ekzekutiv i Engie të Francës, për Reuters në një intervistë të tij.
Shteti francez zotëron pjesërisht kompaninë Engie, e cila ishte një nga blerësit më të mëdhenj të gazit natyror të Gazprom. Holleaux tha se Rusia mund të furnizojë rreth 20-25% të nevojave të BE-së, nga 40% para luftës.
Kreu i kompanisë franceze të naftës TotalEnergies, Patrick Pouyanne, paralajmëroi Europën kundër varësisë së tepërt nga gazi natyror amerikan.
“Ne duhet të diversifikojmë, shumë rrugë, të mos mbështetemi shumë në një ose dy burime” tha Pouyanne për Reuters.
Total, është një eksportues i madh i LNG-së amerikane dhe gjithashtu shet LNG rus nga kompania private Novatek.
“Evropa nuk do të kthehet kurrë në importimin e 150 miliardë metra kub nga Rusia si para luftës … por unë vë bast se ndoshta duhen 70 miliardë metra kub”, shtoi Pouyanne.
Franca, e cila prodhon sasi të mëdha të energjisë bërthamore, mbulon pjesërisht kërkesën e saj.
Nga ana e saj, Gjermania u mbështet shumë në gazin e lirë rus për të ndihmuar në rritjen e sektorit të saj të prodhimit dhe për ta bërë industrinë e saj konkurruese deri në luftën e Ukrainës, ndërsa tani përballet me një deficit serioz energjie.
Në Parkun Kimik Leuna, një nga komplekset kimike më të mëdha të Gjermanisë që pret fabrikat për Dow Chemical dhe Shell ndër të tjera, disa prodhues thonë se gazi rus duhet të kthehet shpejt.
Rusia mbuloi 60% të nevojave lokale, kryesisht përmes gazsjellësit Nord Stream, i cili u hodh në erë në vitin 2022.
“Ne jemi në një krizë serioze dhe nuk mund të presim”, tha Christof Guenther, CEO i InfraLeuna, operatori i parkut.
Ai tha se industria kimike gjermane ka shkurtuar vendet e punës për pesë 3-mujorë radhazi, diçka që nuk është parë në dekada.
“Rihapja e tubacioneve do të ulte çmimet më shumë se çdo program aktual subvencionimi”, tha ai.
“Është një temë tabu”, shtoi Guenther, duke thënë se shumë prej industrive janë dakord për nevojën që të kthehemi tek gazi rus.