Një sulm kibernetik që synonte sistemet e regjistrimit check-in dhe të hipjes në aeroplan, prishi trafikun ajror dhe shkaktoi vonesa në disa nga aeroportet kryesore të Europës të shtunën, thanë zyrtarët, megjithëse ndikimi fillestar dukej të ishte i kufizuar.
Ndërprerjet në sistemet elektronike të raportuara fillimisht në aeroportet e Brukselit, Brandenburgut të Berlinit dhe Heathrow të Londrës, nënkuptonin se vetëm regjistrimi dhe hipja manuale ishte e mundur. Shumë aeroporte të tjera europiane thanë se operacionet e tyre nuk u prekën.
“Pati një sulm kibernetik të premten në mbrëmje më 19 shtator kundër ofruesit të shërbimit për sistemet e regjistrimit dhe të hipjes në aeroplan, që prekte disa aeroporte europiane, përfshirë Aeroportin e Brukselit”, tha Aeroporti i Brukselit në një deklaratë, duke raportuar fillimisht një “ndikim të madh” në oraret e fluturimeve.
Aeroportet thanë se problemi përqendrohej rreth një ofruesi të sistemeve të regjistrimit dhe të hipjes në aeroplan, jo të linjave ajrore, ose vetë aeroporteve.
Collins Aerospace, sistemet e së cilës ndihmojnë pasagjerët të regjistrohen, të shtypin kartat e imbarkimit dhe etiketat e çantave dhe të dërgojnë bagazhet e tyre në kioskë, foli për një “ndërprerje kibernetike” në software-n e saj MUSE në “aeroporte të zgjedhura”.
Ndërsa dita kalonte, pasojat dukeshin të ishin vënë nën kontroll.
Zëdhënësja e Aeroportit të Brukselit, Ihsane Chioua Lekhli, i tha transmetuesit VTM se në mëngjes, nëntë fluturime ishin anuluar, katër u drejtuan në një aeroport tjetër dhe 15 u përballën me vonesa prej një ore ose më shumë. Ajo tha se nuk ishte e qartë sesa mund të zgjasnin ndërprerjet.
Axel Schmidt, kreu i komunikimeve në aeroportin e Brandenburgut, tha se deri afër drekës, “nuk kemi asnjë fluturim të anuluar për shkak të kësaj arsyeje specifike, por kjo mund të ndryshojë”. Aeroporti i Berlinit tha se operatorët kishin ndërprerë lidhjet me sistemet e prekura.
Heathrow, aeroporti më i ngarkuar në trafik, i Europës, tha se ndërprerja ka qenë “minimale”, pa anulime fluturimesh të lidhura drejtpërdrejt me problemet që prekin Collins. Një zëdhënës nuk dha detaje sesa fluturime janë vonuar si rezultat i sulmit kibernetik.
Aeroportet i këshilluan udhëtarët të kontrollonin statusin e fluturimit të tyre dhe kërkuan falje për çdo shqetësim.
Collins, një kompani e teknologjisë së aviacionit dhe mbrojtjes që është një degë e RTX Corp., më parë Raytheon Technologies, tha se “po punonte në mënyrë aktive për të zgjidhur problemin dhe për të rikthyer funksionalitetin e plotë për klientët tanë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndikimi është i kufizuar në regjistrimin elektronik të klientëve check-in dhe në lënien e bagazheve dhe mund të zbutet me operacione manuale të regjistrimit”, tha ajo në një deklaratë.


