“Qëllova në ajër, plumbi u kthye dhe e goditi vëllanë tim drejt e në ballë!”
Ish mbreti i Spanjës, Juan Carlos, i cili jeton në vetë-ekzil në Abu Dhabi, ka zbuluar për herë të parë sesi e vrau vëllanë e tij.
Rikthimi i tij në lajme erdhi përmes autobiografisë së tij, një libër me 500 faqe, ku ai pranon për herë të parë se e vrau vëllanë e tij Alfonso, kur ishin adoleshentë, pothuajse 70 vjet më parë.
Juan Carlos kujton kujtime të dhimbshme ndërsa përshkruan tragjedinë që ndodhi në një rezidencë mbretërore në Portugali në vitin 1956, kur ai ishte 18 vjeç dhe Alfonso ishte 14 vjeç.
Në kujtimet e tij, “Pajtimi”, ai zbulon se dy vëllezërit po “luanin” me një pistoletë kur u gjuajt plumbi fatal.
Për incidentin, ai thotë: “Nuk doja të flisja për të dhe kjo është hera e parë që e bëj. Nuk do ta harroj kurrë këtë tragjedi. Pesha e saj do të mbetet me mua përgjithmonë. E kishim nxjerrë karikatorin [nga këllëfi]. Nuk e kishim idenë se kishte mbetur ndonjë plumb në dhomë. Qëllova në ajër, plumbi bëri rikoshet dhe e goditi vëllain tim drejt në ballë. Ai vdiq në krahët e babait tonë”.
Juan Carlos po luante me një pistoletë automatike Star Bonifacio Echeverria, e cila i përkiste vëllait të tij më të vogël, kur arma u shkrep.
Ndërsa dy fëmijët po luanin vetëm në një dhomë, nuk është sqaruar kurrë sesi u vra Alfonso.
Megjithatë, një rrobaqepëse e Princeshës Maria, pretendoi në atë kohë se Juan Carlos e drejtoi pistoletën nga Alfonso dhe qëlloi, pa e kuptuar se ishte e mbushur.
Burime të tjera besonin se plumbi bëri rikoshet ose që një derë u hap dhe goditi dorën e ish mbretit, duke bërë që ai të qëllonte aksidentalisht vëllain e tij.
Babai i djemve, Konti i Barcelonës, thuhet se e ka kapur për fyti dhe bërtiti me zemërim: “Më beto që nuk e bëre me qëllim!”
Në libër, zbulohet se babai e mbuloi trupin e Alfonsos me një flamur spanjoll dhe e hodhi pistoletën në det. Në atë kohë nuk u krye asnjë hetim gjyqësor për tragjedinë.
Juan Carlos shkroi në librin e tij: “Është ende e vështirë për mua të flas për këtë dhe mendoj për të çdo ditë… Më mungon. Do të doja ta kisha pranë dhe të kisha folur me të. Humba një mik, një këshilltar të besuar. Ai më la një boshllëk të madh. Pa vdekjen e tij, jeta ime do të kishte qenë më pak e errët, më pak e palumtur.”
Libri, i botuar në Francë, shihet si një mesazh paqësor për djalin e tij të larguar.


