“Presidenti Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të rihapur zyrtarisht qeverinë, duke i dhënë fund mbylljes së demokratëve. Le ta rikthejmë vendin tonë në punë!”
Me një frymë fitimtari, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump nënshkroi dekretin e shumëpritur, duke i dhënë fund paralizës më të gjatë fiskale që SHBA-të kanë përjetuar ndonjëherë, pasi e ashtuquajtura mbyllje zgjati 43 ditë, duke vënë në provë kufijtë e amerikanëve.
“Sot po dërgojmë një mesazh të qartë se nuk do t’i dorëzohemi kurrë shantazhit”, tha ashpër Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, duke iu drejtuar kundërshtarëve të tij demokratë, përpara se të nënshkruante dekretin, i brohoritur nga kongresmenët republikanë që e rrethuan në Zyrën Ovale.
Shtëpia e Bardhë shkroi në Twitter: “Presidenti Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të rihapur ZYRTARISHT qeverinë, duke i dhënë fund mbylljes së demokratëve. Le ta rikthejmë vendin tonë në punë.”
Duke theksuar daljen triumfuese nga Brandefer-i pafund, ai sulmoi ashpër “ekstremistët e partisë tjetër”, të cilët, sipas tij, paralizuan aparatin shtetëror për “arsye thjesht politike”.
“Vendi nuk ka qenë kurrë më mirë”, siguroi manjati, pavarësisht sondazheve që tregonin pakënaqësi në rritje mes amerikanëve me rrjedhën e ekonomisë.
Stafi i tij i Shtëpisë së Bardhë kishte njoftuar tashmë para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve se Presidenti Trump do ta nënshkruante urdhërin menjëherë pas miratimit të tij, për t’i dhënë fund mbylljes “katastrofike” 43-ditore, e cila shkaktoi një mori problemesh në sektorët e ekonomisë amerikane”.
Më herët dje, pasi Senati miratoi projektligjin të hënën, Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë me 222 vota pro dhe 209 kunëdr. Vetëm gjashtë demokratë iu bashkuan shumicës së partisë së presidentit, ndërsa dy republikanë votuan kundër projektligjit.
Kryetari republikan Mike Johnson shprehu kënaqësi në fund “të makthit të gjatë kombëtar”. Ai më pas sulmoi ashpër demokratët për shkaktimin e bllokimit 6-javor.
“Ata e dinin se do të shkaktonte vuajtje dhe e bënë gjithsesi. E gjithë manovra ishte e pakuptimtë, ishte e padrejtë, ishte çnjerëzore”, i tha ai dhomës.
“Obamacare”
Pas më shumë se 40 ditësh paralizë fiskale, një grusht senatorësh demokratë më në fund u dorëzuan të hënën, duke miratuar me kolegët e tyre republikanë ligjin që heq bllokimin, duke zgjatur buxhetin aktual deri në fund të janarit.
Megjithatë, teksti është i paqartë në lidhje me zgjatjen e subvencioneve për “Obamacare”, një program sigurimi shëndetësor dhe kujdesi për familjet me të ardhura të ulëta, duke shkaktuar indinjatën e shumë zyrtarëve të zgjedhur demokratë.
Një nga lëshimet e pakta ndaj opozitës është se projektligji parashikon rikthimin në punë të nëpunësve civilë federalë, që janë pushuar nga puna që nga fillimi i mbylljes më 1 tetor.
Ai gjithashtu siguron fonde për programin e ndihmës ushqimore SNAP deri në shtator, duke parandaluar kështu rrezikun që kjo ndihmë, nga e cila përfitojnë më shumë se 42 milionë amerikanë, të ngrihet në rast të një paralize të re fiskale në fund të janarit, siç ka ndodhur në 43 ditët e mëparshme.
Reagimi i Gavin Newsom nëpërmjet X ishte karakteristik, ai kritikoi “kapitulimin” dhe “tradhtinë” e punëtorëve amerikanë.
Demokratë të tjerë vunë në dyshim pse tetë senatorët u tërhoqën vetëm disa ditë pas fitoreve të mëdha të kandidatëve të partisë në zgjedhjet e rëndësishme lokale, të cilat sipas tyre justifikonin qëndrimin e tyre në Kongres.
“Nuk është tepër vonë”
Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, u bëri thirrje përsëri republikanëve mbrëmë që të mbajnë premtimin e tyre për të mbajtur një votim për “Obamacare” së shpejti.
“Ne besojmë se amerikanët e klasës punëtore, amerikanët e klasës së mesme, amerikanët e zakonshëm meritojnë të njëjtin nivel sigurie që republikanët u kanë ofruar gjithmonë të pasurve, donatorëve të tyre me xhepa të thellë”, tha ai në fjalimin e tij.
“Nuk është tepër vonë” për të zgjatur financimin, këmbënguli ai.
Çështja qëndron në zemër të mosmarrëveshjeve që shkaktuan mbylljen. Nëse lehtësimet tatimore dhe subvencionet për programin nuk zgjaten, kostoja e sigurimit shëndetësor do të dyfishohet deri në vitin 2026, për 24 milionë amerikanë që mbështeten nga “Obamacare”, sipas vlerësimeve nga KFF, një grup ekspertësh për sigurimet shëndetësore.
Më shumë se një milion nëpunës publikë nuk kanë marrë pagat që nga 1 tetori. Pagesa e bonuseve dhe përfitimeve të tjera është përballur me probleme të mëdha, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar ose vonuar ditët e fundit, për shkak të mungesës së kontrollorëve të trafikut ajror, shumë prej të cilëve kanë zgjedhur të marrin pushim në vend që të punojnë pa pagesë.


