Personi i armatosur që qëlloi dhe plagosi rëndë dy ushtarë të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, udhëtoi me makinë nëpër Amerikë, nga shtëpia e tij në Seattle, për të kryer sulmin e urryer, thanë zyrtarët amerikanë të enjten.
Jeanine Piro, prokurore amerikane në Uashington, tha në një konferencë për shtyp se personi i armatosur përdori një revolver .357 Smith and Wesson për të qëlluar njërin prej ushtarëve të Gardës Kombëtare, i cili ra në tokë, pastaj e qëlloi përsëri burrin përpara se të kthehej dhe të qëllonte ushtarin e dytë të Gardës Kombëtare. Viktimat u identifikuan si Andrew Wolf, 24 vjeç, dhe Sarah Backstrom, 20 vjeç, të dy anëtarë të Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bodie i tha Fox News se ushtarët “iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale”, por nuk dha gjendjen e tyre të saktë mjekësore. Jeanine Piro tha se i dyshuari do të përballet me tre akuza për sulm me qëllim vrasjeje, por nëse ushtarët nuk mbijetojnë, ai do të përballet me akuza për vrasje të shkallës së parë.
Personi i armatosur është identifikuar si 29-vjeçari Rahmanullah Lakhanwal nga Afganistani, i cili jeton në Bellingham, Washington, me gruan dhe pesë fëmijët e tij.
Media amerikane raportoi më herët sot se sulmuesi kishte punuar me ushtrinë amerikane dhe CIA-n në Afganistan dhe kishte mbërritur në SHBA një muaj pas tërheqjes së nxituar të forcave amerikane nga vendi, në gusht 2021. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se i dyshuari kishte punuar me Shtetet e Bashkuara në Kandahar, Afganistanin jugor, ku ndodhej një nga bazat më të rëndësishme ushtarake amerikane.
Në një mesazh video vonë të mërkurën, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e përshkroi sulmin si një “akt terrorizmi”, ndërsa tha se “imigracioni është kërcënimi më i madh i sigurisë kombëtare me të cilin përballet vendi ynë” dhe u zotua të shtojë përpjekjet e tij për deportime masive. Ai tha se kishte urdhëruar vendosjen e 500 trupave shtesë të Gardës Kombëtare në Uashington, megjithëse nuk ishte e qartë se kur do të mbërrinin ose nga do të vinin.
Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, e cila ka shprehur hapur mosmiratimin e saj ndaj vendosjes së Gardës Kombëtare në qytet nga administrata Trump, tha në një konferencë të shkurtër për shtyp: “Këta të rinj duhet të jenë në shtëpi në Virxhinian Perëndimore me familjet e tyre”.


