Elon Musk nisi një sulm të ashpër ndaj Bashkimit Europian të shtunën në postimet e tij në X. “Sa kohë do të duhet që BE të shpërbëhet?” pyet veten manjati nën hijen e gjobës prej 120 milionë eurosh të vendosur ndaj X nga Komisioni Europian.

“Shpërbëjeni BE-në”, shton Musk.
“BE-ja duhet të shpërbëhet dhe sovraniteti t’u kthehet vendeve në mënyrë që qeveritë të mund t’i përfaqësojnë më mirë popujt e tyre”, vëren ai në një postim të mëparshëm.

Komisioni Europian ka gjobitur Platformën X me 120 milionë euro për shkelje të detyrimeve të transparencës sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA). Shkeljet përfshijnë dizajnin mashtrues të “distinktit blu”, mungesën e transparencës në depozitën e reklamave dhe dështimin për të siguruar akses në të dhënat publike për studiuesit.


