“Britania duhet të inkurajojë më shumë njerëz që të jenë gati për të luftuar!”
Sir Richard Knighton, kreu i Forcave të Armatosura të Britanisë, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër, duke thënë se rreziku i një sulmi rus ndaj vendit po rritet. Prandaj, “bijtë dhe bijat” e kombit duhet të jenë të përgatitur për betejë.
Në një ndërhyrje veçanërisht të ashpër, Gjeneral Lejtnant Sir Richard Knighton paralajmëroi se fuqia ushtarake e Rusisë po rritet dhe kjo duhet të jetë shkak për frikë, pasi trupat ruse tani janë forcuar pas pothuajse katër vite luftimesh në një luftë të plotë në Ukrainë.
Duke pasur parasysh se “forcat e armatosura janë vija e parë e mbrojtjes” kundër këtij kërcënimi, duhet të ketë “më shumë njerëz të gatshëm për të luftuar për vendin e tyre”, tha Knighton gjatë një fjalimi në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, një grup mendimtarësh që përqendrohet në çështjet e mbrojtjes.
Britania ende nuk e ka perceptuar kërcënimin nga Rusia “aq ashpër sa shumë nga aleatët tanë në Europë”, të cilët tashmë kanë filluar përpjekjet për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe në disa raste kanë miratuar një formë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Europa po përpiqet të mbushë boshllëkun e lënë nga kërkesa e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump që kontinenti të marrë përsipër pjesën më të madhe të aftësive konvencionale të mbrojtjes së NATO-s.
Komentet e Knighton duket se synojnë të inkurajojnë Britaninë, qeverinë e saj dhe qytetarët e saj, që ta marrin më seriozisht kërcënimin e një konflikti më të gjerë dhe të veprojnë më shpejt.
“Udhëheqja ruse e ka bërë të qartë se synon të sfidojë, kufizojë, ndajë dhe në fund të fundit të shpërbëjë NATO-n. Tani është e qartë për aleatët tanë se kërcënimi për NATO-n dhe Mbretërinë e Bashkuar nga Rusia po përshkallëzohet”, shtoi ai.
(Edhe pse Rusia ka deklaruar vazhdimisht se nuk planifikon të sulmojë shtetet anëtare të NATO-s, europianët nuk e ndryshojnë linjën e propagandës.)
Knighton tha se megjithëse “objektivi ynë kryesor duhet të jetë shmangia e luftës”, Britania duhet të inkurajojë më shumë njerëz që të jenë të gatshëm të luftojnë në radhët e ushtrisë së rregullt dhe rezervave. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të forcojë industrinë e saj të mbrojtjes për të përmbushur nevojat e riarmatimit dhe rimbushjes së stoqeve. Britania gjithashtu duhet të shkojë drejt shfrytëzimit të teknologjive të reja dhe integrimin e tyre në sistemin e saj të mbrojtjes.
“Bijtë dhe bijat, kolegët, veteranët, të gjithë do të kenë një rol për të luajtur. Të ndërtojnë, të shërbejnë dhe nëse është e nevojshme, të luftojnë. Dhe më shumë familje do të kuptojnë se çfarë do të thotë sakrifica për kombin. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të shpjegohet kërcënimi dhe të mund të menaxhohet ai”, përfundoi gjenerali.

