Çfarë tha presidenti bjellorus në konferencën vjetore për shtyp që dha në Minsk.
Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, në konferencën vjetore për shtyp që dha në Minsk, njoftoi se raketa balistike hipersonike ruse Oreshnik “kanë hyrë në Bjellorusi nga dje”.
“Oreshnik janë në Bjellorusi që nga dje (e mërkurë). Dhe po vihen në shërbim luftarak”, tha Lukashenko.
Në gusht, homologu i tij rus, Vladimir Putin, njoftoi se Moska kishte filluar prodhimin masiv të kësaj rakete të gjeneratës së fundit të aftë për të mbajtur një kokë bërthamore dhe tha se Moska mund ta vendosë atë në Bjellorusi deri në vitin 2025.
Minsk, nga ana e tij, la të kuptohej në gusht se stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Rusinë, të mbajtura në shtator, do të përfshinin raketat Oreshnik.
Këto stërvitje të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë kanë shkaktuar shqetësim midis shteteve anëtare të NATO-s.
Në nëntor 2024, Rusia përdori për herë të parë Oreshnikun, pa kokë bërthamore, për të bombarduar një fabrikë ushtarake në qytetin e Dniepros, në Ukrainën qendrore.


