Teoritë Konspirative Rreth saj! Çfarë Sekreti Fsheh?
Në Pyllin Notecka në Poloninë Perëndimore ndodhet një nga ndërtesat më kontraverse të vendit, një kompleks në stil mesjetar i njohur si Kështjella Stobnica.
Ndërtimi i Kështjellës Stobnica filloi në vitin 2015, por filloi të tërhiqte vëmendjen kombëtare vetëm në vitin 2018, kur njerëzit filluan të pyesnin veten se çfarë ishte kjo strukturë gjigante, që ngrihej në buzë të një rezervati natyror të njohur, në atë që dukej si një ishull artificial në Liqenin Stobnica.
Fotografitë ajrore të kështjellës mesjetare 15-katëshe që ngrihej në mes të një parajse natyrore të virgjër, rreth 50km nga qyteti i Poznanit, filluan të bëheshin virale në internet dhe zgjuan kuriozitetin e njerëzve.
Çfarë ishte kjo ndërtesë, kush e zotëronte dhe si morën një leje ndërtimi për të, duke pasur parasysh vendndodhjen e saj në buzë të një Zone të Mbrojtjes së Veçantë për Shpendët (20 lloje) brenda rrjetit Natura 2000?
Kanë kaluar më shumë se pesë vite që kur Kështjella Stobnica bëri bujë për herë të parë në Poloni, dhe pavarësisht se ishte në qendër të disa betejave gjyqësore dhe shkarkimit të zyrtarëve qeveritarë, misteri që rrethon strukturën e stilit mesjetar mbetet. Për vite me radhë, askush nuk e dinte me të vërtetë se kush e zotëronte Kështjellën Stobnica.
Disa kanë dyshuar se ishte vepër e miliarderit Jan Kulczyk, i cili vdiq në vitin 2015, por që disa teoricienë konspiracioni besojnë se e falsifikoi vdekjen e tij, ndërsa burime më të fundit pohojnë se i përket mjekut dhe biznesmenit Pawel N.
Fondet për ndërtimin kanë shkaktuar gjithashtu polemika, me disa burime lajmesh që pretendojnë se ato erdhën nga llogari jashtë vendit.
Qëllimi i ndërtesës është gjithashtu aktualisht në diskutim. Ndërsa disa avokatë këmbëngulin se Kështjella Stobnica do të jetë rezidenca personale e klientit të tyre, ka pasur prej kohësh spekulime se ajo do të shndërrohet në një hotel luksoz ose në një kompleks banimi për të pasurit dhe të fuqishmit.
Shumë njerëz e kanë të vështirë të besojnë se dikush, pavarësisht sa i pasur, do të shpenzonte 400 milionë zloty (91 milionë dollarë) për një rezidencë personale.
Kur fotot e Kështjellës gjigante të Stobnicës u bënë virale për herë të parë në vitin 2018, ato shkaktuan zemërim të gjerë midis aktivistëve dhe publikut të gjerë. Në vitet që pasuan, hetuesit kanë mbledhur prova sesi janë marrë lejet e ndërtimit dhe nëse zhvilluesi mund të ndërtonte kaq afër një rezervati natyror, ndërsa ndërtonte edhe një ishull artificial në liqenin Stobnica.
Në korrik 2020, Zyra e Prokurorit të Qarkut të Poznanit ngriti padi ndaj 6 personave, përfshirë përfaqësues të investitorit, një arkitekt dhe zyrtarë lokalë. Po atë vit, guvernatori i provincës u shkarkua nga detyra. Në fillim të vitit 2021, Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit hapi një hetim tjetër: dyshime për financim investimesh përmes pastrimit të parave (transferime nga llogaritë jashtë vendit).

