“Është një gjë të jesh agresiv dhe një gjë tjetër të sulmosh shtëpinë e dikujt!”
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump zbuloi se ishte informuar për sulmin ukrainas ndaj rezidencës presidenciale të Vladimir Putinit në Rusinë veriore dhe se është “shumë i zemëruar”.
“Nuk më pëlqen. Nuk është mirë”, u tha Donald Trump gazetarëve, kur u pyet nëse ishte i shqetësuar se kjo ankesë mund të ndikonte në përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar për paqe.
“Mësova për këtë sot nga Presidenti Vladimir Putin. Isha shumë i zemëruar për këtë”, shtoi ai.
“Është një periudhë e ndjeshme kohore. Nuk është koha e duhur. Është një gjë të jesh agresiv, sepse ata janë agresivë, dhe një gjë tjetër të sulmosh shtëpinë e dikujt. Nuk është koha e duhur për asnjë nga këto”, vazhdoi ai.
I pyetur nëse kishte prova për një sulm të tillë, Trump tha: “Do ta zbulojmë”!
Trump tha gjithashtu se pati “një bisedë shumë të mirë” më herët gjatë ditës me prsidentin Putin.
“Kemi disa çështje shumë të vështira dhe të mprehta”, tha Trump për bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Rusia akuzoi Ukrainën të hënën se po përpiqej të sulmonte rezidencën presidenciale të Vladimir Putinit në Rusinë veriore, pa dhënë asnjë provë, me Kievin që e hodhi poshtë akuzën si të pabazë dhe që synonte të minonte bisedimet e paqes.
Të dielën, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump u takua në Florida me Presidentin ukrainas Zelenski, duke thënë se të dy palët ishin “shumë afër, ndoshta shumë afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, megjithëse çështjet “e mprehta”, kryesisht territoriale, mbetën.
Po atë ditë, Putini urdhëroi forcat ruse të vazhdonin fushatën për të pushtuar plotësisht rajonin Zaporizhia, ndërsa Kremlini përsëriti kërkesën e tij që Kievi të tërheqë trupat e tij nga pjesët e fundit të Donbasit që ende kontrollon në Ukrainën lindore.
Sipas Kremlinit, Putin e informoi Trumpin me telefon se Rusia po rishqyrtonte qëndrimin e saj negociues pas sulmit të dyshuar me dron.
Trump e përshkroi bisedën e tij me Putinin si “produktive”, duke shprehur shpresën se “disa çështje mund të zgjidhen”.
Nga ana e tij, Zelenski akuzoi Moskën për “përgatitjen e terrenit” për sulme ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev, duke i quajtur akuzat ruse “të rreme”.
Ai argumentoi se Rusia kërkon të krijojë përçarje midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara dhe të minojë progresin në bisedimet SHBA-Ukrainë për t’i dhënë fund luftës.
Në mënyrë të ngjashme, Ministri i Jashtëm ukrainas Andrij Sibikha tha se sulmi i supozuar ishte një trillim që synonte të justifikonte sulme të mëtejshme ruse dhe të minonte procesin e paqes, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojë akuzat ruse.


