“Po vëzhgojmë gjithçka dhe e dimë se kush po flet me kë!”
Sekretari i Luftës i SHBA-ve Pete Hegseth, iu përgjigj raporteve se Rusia po i ofron Iranit informacion në lidhje me objektivat amerikane në Lindjen e Mesme, duke thënë se “nuk jemi të shqetësuar” pasi do i shkatërrojnë forcat e Teheranit sidoqoftë.
Pete Hegseth tha në një intervistë që dha për emisionin “60 Minutes” të CBS, i cili do të transmetohet të dielën, se raportet e ofrimit të informacionit rus për Iranin nuk janë shqetësim për qeverinë amerikane.
“Nuk jemi të shqetësuar”, tha ai, duke shtuar se Presidenti i SHBA-ve Donald Trump “e di se kush dhe me kë po flet”, pasi Uashingtoni po monitoron nga afër zhvillimet.
“Ne po monitorojmë gjithçka. Çdo gjë që nuk duhet të ndodhë po trajtohet me forcë”, theksoi shefi i Pentagonit.
Deklaratat e Pete Hegseth erdhën pas një raporti të Washington Post, sipas të cilit Rusia dyshohet se po i jep Iranit informacion në lidhje me objektivat e mundshme amerikane në Lindjen e Mesme.
Gazeta, duke cituar tre burime anonime, raportoi se ky informacion përfshin të dhëna mbi pozicionet e anijeve dhe avionëve luftarakë amerikanë në rajon.
Zëdhënësja e shtypit Caroline Levitt tha se ky informacion “nuk ndryshon asgjë në të vërtetë në aspektin e operacioneve ushtarake në Iran”.
Siç deklaroi ajo:
“Ne jemi në procesin e shkatërrimit të plotë të tyre. Po arrijmë objektivat ushtarake të këtij operacioni dhe kjo do të vazhdojë.”


