Xi Jinping e di se çdo angazhim ushtarak mund të vërë në provë ndikimin dhe imazhin e vendit të tij.
Disa javë para samitit të rëndësishëm SHBA-Kinë në Pekin, Presidenti Donald Trump i ka bërë një kërkesë të pazakontë dhe kritike Pekinit: Ndihmën aktive të Kinës në rihapjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një kalim detar jetësor për tregun global të energjisë.
Kalimi, përmes të cilit kalon rreth 20% e prodhimit botëror të naftës, mbetet i bllokuar nga forcat iraniane, duke shkaktuar rritjen marramendëse të çmimeve të karburantit dhe duke rritur frikën për një krizë të zgjatur energjitike.
Në një intervistë të kohëve të fundit me Financial Times, Trump theksoi se “është krejtësisht e arsyeshme që vendet që përfitojnë nga ngushtica të kontribuojnë në mënyrë që të mos shkaktohen dëme”, duke shtuar se “Kina duhet të marrë pjesë aktive në këtë përpjekje”.
Pa ende një angazhim të qartë nga Pekini, presidenti amerikan po lë të hapur mundësinë e shtyrjes së takimit të tij me Xi Jinping, duke rritur pasigurinë në lidhje me axhendën diplomatike të dy fuqive të mëdha.
Lëvizja e Iranit për të mbyllur rrugën ujore strategjike ka kufizuar eksportet e naftës nga vendet e Gjirit në tregun botëror, duke lehtësuar rrjedhën e naftës iraniane në Kinë dhe tregje të tjera aziatike. Trump u ka bërë thirrje aleatëve, përfshirë Francën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Britaninë, të bashkohen me një operacion ndërkombëtar për të siguruar kanalin, ndërsa po i bën presion Pekinit që të angazhohet para samitit.
Megjithatë, Pekini mbetet i kujdesshëm. Kina ka krijuar rezerva strategjike nafte, ka diversifikuar burimet e saj të furnizimit dhe po investon në burime të rinovueshme të energjisë, duke zvogëluar ndjeshmërinë e saj të menjëhershme ndaj krizës. Në të njëjtën kohë, diplomacia kineze po bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe stabilizim të rajonit, pa ofruar një angazhim të qartë ushtarak. Edhe pse e di mirë, që fundi i Iranit, është dishezë për ekonominë e saj.
Oferta e Iranit për të lejuar kalimin e çisternave me transaksione në Juan i jep Kinës një ndikim shtesë negociues, ndërsa SHBA-të po përpiqen të marrin mbështetje ndërkombëtare për një operacion që do të kërkojë një prani ushtarake dhe angazhim politik.
Rëndësia strategjike e Hormuzit theksohet nga fakti se çdo vonesë ose refuzim i ndihmës ndërkombëtare mund të ndikojë edhe në të ardhmen e NATO-s, siç ka theksuar Trump. Ky tension gjithashtu nxjerr në pah brishtësinë e marrëdhënieve SHBA-Kinë, me samitin në rrezik të shndërrohet në një mjet për presion politik dhe jo në një platformë për diplomaci kuptimplotë.
Kina, ndërsa është në gjendje të përballojë krizën energjetike për disa muaj, po monitoron nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke kërkuar të ruajë rolin e saj si një ndërmjetës strategjik, veçanërisht pas marrëveshjes Iran-Arabia Saudite të vitit 2023.
Kina sot vendoset përpara dilemës së përzgjedhjes së aleancës që i siguron të ardhmen. I duhet një marrëdhënie e mirë me Perëndimin, që janë klientët dhe konsumatorët e saj, apo ne Iranin që e furnizon me naftë. E madhe dilema dhe shumë e pasigurtë e ardhmja.


