Tailanda dhe vendet fqinje të goditura nga rritja e çmimeve dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit!
Tailanda dhe shumë vende aziatike që mbështeten në importet e energjisë nga Lindja e Mesme janë në vijën e parë të një krize energjitike që po thellohet, pas luftës në Iran.
Pavarësisht garancive të qeverisë se furnizimet janë të mjaftueshme për rreth 100 ditë, mungesa e karburantit tashmë po raportohet në shumë pjesë të vendit. Radhë të gjata formohen në benzinata, ndërsa shpesh vendosen tabela “nuk ka stok”.
Efektet e mungesës së karburantit janë të dukshme në jetën e përditshme. Në Bangkok, taksitë e mëdha po kufizojnë rrugët nga aeroporti kryesor, ndërsa anijet turistike kanë ndaluar së funksionuari.
Edhe praktikat fetare po preken, me disa tempuj që pezullojnë ceremonitë e kremtimeve për shkak të rritjes së kostove dhe mungesës së karburantit.
Në të njëjtën kohë, sektorë të rëndësishëm prodhues, siç janë bujqësia dhe peshkimi, po përballen me probleme serioze. Shumë fermerë dhe peshkatarë nuk janë në gjendje të sigurojnë naftë për makineritë e tyre, ndërsa rreziku i paralizës së industrisë së peshkimit është i dukshëm.
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 38.94 baht për litër, nga 29.94 baht që ishin para fillimit të konfliktit. Kjo rritje lidhet edhe me heqjen e subvencioneve qeveritare.
Qeveria tajlandeze tani po shqyrton uljen e akcizës mbi karburantin në mënyrë që të kufizojë barrën mbi qytetarët dhe bizneset.
Në të njëjtën kohë, janë njoftuar masa mbështetëse për fermerët, të tilla si subvencione për plehrat dhe programe blerjeje orizi me çmime më të larta se çmimet e tregut.
Kriza nuk kufizohet vetëm në Tajlandë. Në Filipine, po zbatohet javë pune katër-ditore në sektorin publik për të kursyer karburant, ndërsa në Laos, autoritetet po i inkurajojnë studentët të përdorin biçikletat dhe transportin publik.
Fabrikat në vende si India, Bangladeshi dhe Malajzia po i zvogëlojnë ose po i ndalojnë operarimin.
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se kriza do t’i japë një goditje serioze sistemeve globale ushqimore, pasi nuk ka rezerva strategjike.
Nëse konflikti vazhdon, Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se deri në 363 milionë njerëz mund të përballen me urinë.
Situata në Mianmar është veçanërisht shqetësuese, ku një mjedis tashmë i mbushur me konflikte dhe ekonomikisht i paqëndrueshëm kërcënohet me përkeqësim të mëtejshëm, pasi kostoja e prodhimit të ushqimit mund të dyfishohet.
Kriza energjetike tani po shndërrohet në një kërcënim shumëdimensional, duke prekur jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë ushqimore në nivel global.


