Vazhdojnë protestat në Britani pas sulmit fatal me thikë nga 17-vjeçari në Southport.
Përlasje edhe në Liverpool jashtë një xhamie.
Plagosen policë dhe bëhen arrestime.
Një stacion policie u plaçkit dhe u dogj ndërsa protestuesit u përleshën me policinë në Sunderland gjatë protestës.
Qindra njerëz dolën në rrugë për një ditë tjetër protestash në Britani, pasi tre vajza të vogla u vranë në një klasë kërcimi, në Southport, por situata nuk vonoi të dilte jashtë kontrollit.
Protestuesit përmbysën një makinë përpara se t’i vinin flakën në qendër të qytetit Sunderland, ndërsa të tjerët sulmuan policinë e armatosur.
Stacioni i policisë në Sunderland në Waterloo Place u plaçkit dhe u dogj. Policia që merret me trazirat në Sunderland po përballet me “abuzime të rënda”, ka thënë Policia e Northumbria.
“Skenat që po shohim janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen. Sigurimi i rendit publik është prioriteti ynë më i lartë”, thanë autoritetet, ndërsa Sekretarja britanike e Brendshme Yvette Cooper theksoi se kriminelët që shkaktojnë telashe në Sunderland do të paguajnë, duke vënë në dukje se policia ka mbështetjen e qeverisë për të ndërmarrë veprimet më të forta të mundshme.
Disa rrugë të qytetit i ngjanin një peizazhi të bombarduar, ndërsa disa të rinj duke përfituar nga kaosi hynë në dyqane dhe vodhën mallra.
Tetë persona janë arrestuar për një sërë veprash, duke përfshirë akte të dhunshme dhe vjedhje, në trazirat që shpërthyen në Sunderland. Policia e Northumbria tha se tre oficerë u plagosën dhe u dërguan në spital.
Dy mbeten në spital për trajtim të mëtejshëm dhe njëri ka dalë nga spitali.
Përplasje ndodhën edhe në Liverpool mes protestuesve dhe kundërprotestuesve që mbronin një xhami. Aktivistët antifashistë, të cilët ishin afro 200 persona, brohorisnin “nazistë, larg rrugëve tona”. Domethënë anglezët, emërtohen si nazistë nga emigrantët e paligjshëm.
Policia e mundi të shtyjë protestuesit, disa prej të cilëve mbanin kapuç.
Protestuesit nga një grup i quajtur Aleanca Rinore mbanin një pankartë ku shkruhej “Stop emigracionit masiv. Shpëtoni rininë e Britanisë. Sa britanikë të tjerë duhet të vdesin?”
Drejtori i Prokurorisë Publike Stephen Parkinson tha se prokurorë shtesë ishin thirrur për të punuar këtë fundjavë për t’u marrë me trazirat.
“Kemi vendosur dhjetëra prokurorë shtesë, të cilët janë duke punuar gjatë gjithë orarit këtë fundjavë, duke mbështetur policinë dhe të gatshëm për të marrë vendime të menjëhershme për akuzat në mënyrë që drejtësia të vihet shpejt në vend”, tha ai.
Në një deklaratë, shefi i policisë së Northumbria, Elena Barron tha se një hetim i plotë ishte duke u zhvilluar për të identifikuar këdo të përfshirë në demonstratën e sonte dhe paralajmëroi ata që planifikonin të përfshiheshin në çdo shqetësim të ardhshëm të qëndrojnë në shtëpi.
Më shumë se 50 oficerë policie janë plagosur dhe dhjetëra protestues janë arrestuar në trazirat deri më tani.
Ajo vjen ndërsa forcat e policisë në të gjithë vendin përgatiten për një valë trazirash të parashikuara gjatë fundjavës dhe javës së ardhshme në deri në një duzinë qytetesh dhe qytezash.
Anëtarët e komunitetit mysliman të Britanisë kanë folur për shqetësimet e tyre, me qindra xhami në të gjithë vendin po përforcojnë masat e tyre të sigurisë dhe mbrojtjes përpara protestave të planifikuara, tha Këshilli Mysliman i Britanisë (MCB).
Numri 10 i Downing Street dhe dhomat e Parlamentit u ndriçuan me ngjyrë rozë në kujtim të tre vajzave të vrara në Southport, të hënën.
Në Britani jemi në prag të një kryengritjeje të britanikëve kundër emigrantëve të paligjshëm dhe jo vetëm. Po ndodh ajo që pritej, teksa kishte kaluar momenti i mbingopjes.
Atë që nuk po e bënte shteti, e kanë marrë përsipër britanikët dhe po e kryejnë, mesa duket me sukses të plotë.