Alarm në Gjermani: Izolohet Bazë Ushtarake për Shkak të Sabotimit të Mundshëm

/

Sabotimi i sistemit të ujit.

Një bazë ajrore gjermane pranë aeroportit të Këlnit u mbyll sot, pasi autoritetet hetojnë një vepër të mundshme penale në lidhje me sistemin e furnizimit me ujë, i cili dyshohet se është sabotuar, njoftuan agjencia gjermane e lajmeve dhe Reuters, duke cituar një burim nga forcat e sigurisë.

Incidenti u raportua fillimisht nga revista e lajmeve Der Spiegel, sipas DPA.

Sipas Spiegel, rrjeti i ujësjellësit të kësaj baze me 4,300 ushtarakë dhe 1,200 civilë mund të jetë kontaminuar pasi dikush ka thyer perimetrin e saj. Revista shton se rasti është duke u hetuar nga policia, policia ushtarake dhe shërbimi inteligjent ushtarak MAD.

Siç raporton Agjencia Gjermane, në një gardh të bazës, e cila kufizohet me aeroportin, u zbulua një vrimë dhe u ngritën dyshime për sabotim të sistemit të ujësjellësit të bazës, edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar. Janë marrë mostra uji dhe janë duke u testuar.

Aktualisht askush nuk lejohet të hyjë apo të dalë nga baza dhe policia ka rrethuar zonën përreth, tha DPA.

Baza ushtarake në fjalë është shtëpia e flotës së avionëve ushtarakë të përdorur për udhëtimin e kancelarit dhe ministrave të tij.

Reuters vëren se Ministria e Mbrojtjes në Berlin dhe inteligjenca ushtarake nuk ishin menjëherë të disponueshme për koment. Policia e Këlnit tha se nuk mund të komentonte.

Previous Story

Studiuesi Holandez Parashikon Tërmet me Magnitudë 7 Ballë në Greqi - Kur?

Next Story

Ron Paul: Amerika Po Mbërrin në Një Moment Referimi Historik, Ogurzi!

Latest from Info