“Ai që në diskutime dëshiron të imponojë mendimin e tij, i cili mund të jetë edhe i saktë, duhet ta dijë se vuan nga sëmundja e djallit, (domethënë nga krenaria)” (Shën Joan Klimaku, logj. 4, 41).
Ju jeni të sigurtë për mendimet tuaja, sepse i bazoni ato në arsyen e drejtë dhe në një sens të përbashkët drejtësie, madje edhe në traditën e vendit tuaj. Ju jeni shumë më të sigurtë për besimin tuaj kristian, sepse keni pranuar Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tuaj dhe Kishën e Tij të shenjtë, trupin e Tij të gjallë, si nënën tuaj. Dhe kjo është arsyeja pse nuk dëshironi të veproni në mënyrë diplomatike: ju nuk i negocioni mendimet tuaja dhe as besimin tuaj. Dhe akoma më shumë: kur merr pjesë në diskutime, ku ka të tjerë që ndryshojnë nga ju, si për nga pikëpamjet tuaja, ashtu edhe për nga besimi juaj, ju zemëroheni. Dhe ndoshta zemëroheni dhe pyesni veten sesi ka njerëz kaq të verbër, sa nuk shohin të dukshmen. Pra, ju e konsideroni plotësisht të justifikuar prirjen tuaj për të imponuar(!) opinionet dhe besimin tuaj, pasi ata duhet të… kuptojnë, mendoni ju. Ata duhet të jenë të bindur. Ata duhet të… shpëtohen!
Por kujdes! E kupton se ke hyrë në shtigje të rrezikshme psikopatologjike. Sepse tek ju funksionon qartë elementi filander, dominimi mbi të tjerët, pra egoizmi dhe krenaria. Pra, keni sëmundjen e djallit, atë që hodhi kryeengjëllin e parë nga qielli dhe e bëri atë vetë sundimtarin e errësirës. Ajo që kërkohet në jetën tonë është gjithmonë dashuria e cila bazohet në përulësi, ajo që përbën moralin e Zotit tonë të mishëruar.
Vetë Zoti na thërret në besimin e drejtë, por na lë të lirë të vendosim. Pra, mos e tejkaloni vetë Zotin, në emrin e Tij! Çdo fyerje ndaj tjetrit, nëse ai nuk pajtohet me ju, është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj Zotit. Pse po ia hiqni dhuratën më të madhe që i ka dhënë Zoti njeriut, lirinë?!
Dhe ajo që tregon të vërtetën e mësipërme është, nga njëra anë, fakti se çdo opinion për çështjet e kësaj jete, sado i saktë të jetë, ka elementin e relativitetit: asgjë njerëzore nuk është absolute, nga ana tjetër, vetë besimi ynë imponohet për shkak të së vërtetës, që i shpreh besimi çdo zemre dashamirëse.
Vetë e vërteta e besimit përfshin fuqinë e saj dëshmuese. E vërteta e Zotit nuk ka nevojë për avokatë!