Zelenski pranoi se situata në vijën e frontit në Ukrainën lindore është e vështirë dhe se forcat ruse po përparojnë dukshëm.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në një intervistë radiofonike të transmetuar sot tha se, Ukraina duhet të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar që lufta me Rusinë të përfundojë vitin e ardhshëm përmes diplomacisë!
Është hera e parë që, pavarësisht se Ukraina po humbet në të gjitha frontet dhe rrjedhimisht po humbet territore të rëndësishme, Volodimir Zelenski angazhohet për t’i dhënë fund luftës me mjete diplomatike!
Zelenski pranoi se situata në frontin në Ukrainën lindore është e vështirë dhe se forcat ruse po bëjnë përparim.
Ai vlerësoi se presidenti rus Vladimir Putin nuk është i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas shpjegoi se ligji amerikan parashikon që ai nuk mund të takohet me presidentin e sapozgjedhur amerikan Donald Trump, përpara se të betohet në janar, duke theksuar se ai preferon të flasë drejtpërdrejt me të dhe jo përmes një të dërguari, apo këshilltari.
“Unë, presidenti i Ukrainës, do ta marr seriozisht vetëm një bisedë me presidentin e SHBA-ve, me gjithë respektin për çdo mjedis, për çdo person”, nënvizoi ai.
“Nga ana jonë, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë përmes kanaleve diplomatike”, shpjegoi Zelenski.
Zelenski e di se, siç kanë shkuar gjërat, Ukraina nuk ka asnjë shpresë për të ndryshuar situatën taktike tani më dhe se gjithçka është kundër.
Por ai vinte bast se do të merrte një ndihmë të madhe dhe të vazhdueshme nga qeveria (kështu besonte ai) e Kamala Harris, pas zgjedhjeve amerikane.
Në Kiev nuk kanë asnjë iluzion, e dinë se Donald Trump do të ndërpresë ndihmën për Ukrainën dhe është i vendosur të përfundojë luftën aty ku është, që do të thotë se territoret e pushtuara nga rusët do të humbasin përgjithmonë për ukrainasit.
E vetmja gjë për të cilën mund të shpresojë është që presidenti i ri të japë garanci sigurie për Ukrainën dhe një regjim që përfiton edhe Rusia, në mënyrë që ky konflikt i përgjakshëm që ka kushtuar jo vetëm mijëra jetë, por edhe vështirësi ekonomike për të gjitha vendet perëndimore, të marrë fund.
Siç shihet, në dy muajt e ardhshëm rusët “do të drejtojnë” operacionet e tyre ushtarake në Kurakovo, Kupiansk, Chasiv Yar, Toretsk, Pokrovsk dhe gjithashtu në Kursk-un rus, për të përfunduar këto çështje të pazgjidhura përpara proçesit të paqes që Donald Trump, pas 20 janarit kur do të marrë detyrat e tij presidenciale, do të parashtrojë për palët në luftë.
Sidomos përsa i përket çështjes së Pokrovsk-ut, rusët duan t’i japin fund asaj për ta pushtuar përfundimisht dhe plotësisht depozitën më të madhe të litiumit në Europë.
Sido që të jetë, nga kjo luftë, Moska duket se po fiton dhe ka shumë gjasa që pas përfundimit të saj të ketë marrëveshje të reja për dërgimin e gazit natyror të lirë rus në Gjermani dhe në vendet e tjera europiane.
E përse e gjithë kjo avendturë?
Në fund, deklarata e presidentit rus Putin, gjatë bisedës telefonike me kancelarin gjerman Scholz, ishte kjo:
“Rusia gjithmonë i përmbush në mënyrë rigoroze detyrimet e saj kontraktuale në sektorin e energjisë dhe është e gatshme për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm nëse pala gjermane tregon interes për të”.
Gjermania ishte shumë e varur nga gazi rus para luftës, por dërgesat direkte u ndaluan kur tubacionet Nord Stream shpërthyen mes një sabotazhi, në fund të Detit Baltik, në vitin 2022.
Gjermania dhe vende të tjera të Bashkimit Europian kanë vendosur valë të njëpasnjëshme sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të luftës dhe kanë ndërmarrë hapa për të hequr qafe naftën dhe gazin rus.
E gjitha kjo, Europës iu kthye bumerang dhe i shkaktoi rrënim të ekonomisë.
Sa i përket Ukrainës, Kremlini tha në një deklaratë se qëndrimi i Putinit ishte i njëjtë me atë që ai kishte treguar në qershor, kur tha se lufta mund të përfundonte nëse Kievi braktis ambiciet e tij për të qenë anëtar në NATO dhe të dorëzonte katër territoret që pretendon Rusia.
Ukraina më pas i hodhi poshtë këto kushte si të barasvlershme me dorëzimin.
“Marrëveshjet e mundshme duhet të marrin parasysh interesat e Federatës Ruse në fushën e sigurisë, të nisin nga realitetet e reja territoriale dhe, mbi të gjitha, të eliminojnë shkaqet rrënjësore të konfliktit”, thotë Kremlini.
Pra, Volodimir Zelenski e di tani më, shumë mirë, se në çfarë kushtesh do të negociojë me rusët dhe ai e di se cila do të jetë pika e fillimit…!