Ata do të përdorin territorin gjerman, ku do të grumbullohen fillimisht!
Një dokument prej 1,000 faqesh, i zbuluar nga media gjermane, përshkruan planin e veprimit të NATO-s, me mobilizimin dhe vendosjen e 800,000 trupave (nga vendet anëtare), në tokën gjermane për të sulmuar Rusinë kur dhe nëse fillon Lufta e Tretë Botërore.
Plani quhet Plani Operacional i Gjermanisë, pasi territori i Gjermanisë do të luajë një rol parësor në të.
Siç zbulon gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, “dokumentet top sekret detajojnë ndërtesa dhe infrastrukturë specifike që duhet të mbrohen menjëherë në mënyrë që ato të mund të përdoren nga ushtria dhe sesi bizneset dhe qytetarët duhet të përgatiten në rast të kërcënimeve të shtuara”.
Lokacionet e sakta si dhe detajet teknike të planit nuk u publikuan për arsye të vetëkuptueshme.
Dokumentet treguan gjithashtu se Berlini po përgatitet të çojë 200,000 automjete ushtarake në tokën gjermane, nëse NATO përfshihet në një luftë në shkallë të gjerë në Europën Lindore, kundër Rusisë.
Plani përmend gjithashtu se autoritetet gjermane në intervale të rregullta muajt e fundit janë përpjekur të informojnë qytetarët për masat emergjente që duhet të marrin, në rast të një lufte të përgjithshme.
Prandaj, ajo që u dëgjua ditët e fundit për thirrjet drejtuar qytetarëve europianë që të kenë ushqim, ujë dhe furnizime në shtëpitë e tyre për tre ditë, nuk ishte aspak e rastësishme.
Një nga këshillat e dhëna për mbijetesë është blerja e gjeneratorëve me naftë.
Në të njëjtën kohë, po u jep bizneseve lokale këshilla sesi t’i përgjigjen luftës, duke përfshirë përgatitjen për të zëvendësuar stafin në rast se punëtorët migrantë largohen nga Gjermania.
Plani gjithashtu jep këshilla për zgjimin e komuniteteve lokale në lidhje me mbikëqyrjen me dron, sulmet kibernetike dhe forma të tjera të spiunazhit.
Detajon gjithashru sesi Gjermania do të menaxhonte në mënyrë logjistike pritjen e dhjetëra mijëra trupave të NATO-s, nëse kërkohet.
Ndërkohë, në deklaratat e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje se lëshimi i raketës balistike hipersonike nga Rusia kundër Ukrainës, përbën një “përshkallëzim të tmerrshëm” në konflikt, por në të njëjtën kohë justifikoi zgjedhjen e tij të “maturisë” në mbështetjen ushtarake për Kievin.
“Ne nuk duam t’i ofrojmë Ukrainës raketa lundrimi të afta për të depërtuar thellë në territorin rus”, përsëriti kreu i qeverisë gjermane, duke theksuar se sipas tij “maturia dhe një mbështetje e qartë për Ukrainën shkojnë gradualisht”.