Raketa kishte gjashtë koka luftarake, secila me nga gjashtë nënmunicione dhe fluturoi me një shpejtësi maksimale prej 11 Mach (dmth. 11 herë shpejtësia e zërit).
Ukraina u prezantoi gazetarëve perëndimorë rrënojat e raketës së re eksperimentale balistike të Rusisë, e cila javën e kaluar goditi objektivat në qytetin e Dnipro.
Mbetjet e raketës Oreshnik (rusisht ‘lajthi’) janë ruajtur, për momentin, në një vend sekret. Më pas ato do të merren nga studiuesit, për t’u hulumtuar.
Disa kabllo të djegura dhe një copë metali sa një gomë makine kanë mbetur nga raketa, raporton Associated Press.
“Kjo është hera e parë që mbetjet e një rakete të tillë janë zbuluar në territorin e Ukrainës”, tha një zyrtar ukrainas për mediat perëndimore.
Analistët perëndimorë besojnë se raketa bazohet në raketën balistike ndërkontinentale RS-26 Rubezh. Ajo mund të mbajë shumë koka luftarake konvencionale ose bërthamore.
Nga ana e tyre, ukrainasit vlerësojnë se raketa është lëshuar nga vendi i testimit të raketave Kapustin Yar në rajonin e Astrakhanit të Rusisë. Ajo e përshkoi distancën deri në Ukrainë për rreth 15 minuta.
Ndërkohë, Rusia vazhdoi sulmet e saj kundër Ukrainës, natën e së shtunës dhe mëngjesin e së dielës. Moska dërgoi 73 dronë kundër Ukrainës. Kievi raportoi se 50 dronë u shkatërruan dhe katër u humbën, ndoshta për shkak të ndërhyrjes elektronike.
Ndërsa në Rusi, ministria e mbrojtjes tha se 34 dronë ukrainas u rrëzuan gjatë natës, në katër rajone të Rusisë perëndimore.