Marrëveshja 5-vjeçare për transportin e gazit natyror rus përmes Ukrainës nuk do të zgjatet në kohë.
Nëse Putin dhe Zelenski bien dakord për ndonjë gjë, kjo është për përfundimin e tranzitit të gazit natyror rus në Europë përmes Ukrainës.
Si Kievi, ashtu edhe Moska e bënë të qartë sot se nuk do të zgjasin marrëveshjen 5-vjeçare për transportin e gazit natyror rus përmes Ukrainës, përtej skadimit të saj në fund të këtij muaji pas vendimit të Zelenskit.
Duke folur në konferencën e tij vjetore për shtyp, presidenti rus tha se marrëveshja e tranzitit do të lejohet të skadojë në fund të vitit pa një alternativë të qartë.
“Kjo konventë nuk do të ekzistojë më, kjo është e qartë”, tha Putin. “Por nuk ka rëndësi, ne do të mbijetojmë, Gazprom do të mbijetojë”.
Ukraina ka refuzuar të rinegociojë menjëherë marrëveshjen dhe në vend të kësaj ka ofruar prodhimin e saj vendas të gazit si një alternativë për fqinjët e saj!
Deklaratat e Volodimir Zelenskit në Bruksel treguan gjithashtu se vendi i tij nuk do të lejojë më kalimin më tej të gazit rus.
Zelenski tha se alternativat ku gazi rus blihet nga një vend tjetër, përpara se të kalojë përmes Ukrainës do të jenë ende në financimin e Moskës.
“Nëse ne kemi një vend tjetër, por ai merr gaz nga Rusia dhe më pas kalon gazin e vet, është njësoj si të marrësh para nga kjo luftë dhe të transferosh para në Rusi”, tha udhëheqësi ukrainas.
Nëse ka një vend “gati të na japë gaz, por të mos i kthejë paratë Rusisë deri në fund të luftës, atëherë ne mund të mendojmë për këtë”, tha Zelenski.
Sipas tij, është një “turp” që vendet të shqetësohen për rritje të vogla të kostos së karburantit kur ukrainasit po humbasin jetën e tyre, duke u mbrojtur kundër pushtimit të Moskës.
Kontrata afatgjatë, e nënshkruar në vitin 2019, i lejoi gjigantit energjetik shtetëror rus të pomponte gaz natyror përmes rrjetit të gjerë të tubacioneve të Ukrainës për klientët në BE.
Disa vende anëtare të BE-së, si Sllovakia, Hungaria dhe Austria, kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes kësaj rruge, pavarësisht nga një premtim në mbarë bllokun për t’i dhënë fund varësisë nga Moska deri në vitin 2027.
Kryeministri sllovak Robert Fico bëri thirrje publikisht për zgjatjen e marrëveshjes. Sipas tij, vendimi i Kievit për të mos zgjatur kontratën me Gazprom “nuk do të thotë se ne nuk mund të marrim gaz natyror nga lindja”.
Ai u zotua të ngrejë çështjen me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në një takim të Këshillit Europian në Bruksel të enjten.
Ndërkohë, kryeministri hungarez Viktor Orbán po viziton Bullgarinë këtë javë, ku shpreson të arrijë një marrëveshje për të siguruar akses të vazhdueshëm në furnizime.