Kaos në Bangladesh Pas Vrasjes së Një Aktivisti të Ri Përpara Zgjedhjeve

/

Protesta të zemëruara, vandalizëm ndaj mediave dhe frikë nga trazira të reja politike përpara zgjedhjeve.

Kryeqyteti i Bangladeshit, Daka, ka qenë në gjendje tensioni që nga dje, pas protestave të natës që shpërthyen për shkak të vrasjes së një aktivisti të ri të njohur, i cili luajti një rol kryesor në protestat e vitit të kaluar dhe do të ishte kandidat në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.

Sipas Reuters, protestuesit që mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta u mblodhën në Shahbag, në qendër të qytetit, duke brohoritur slogane dhe duke deklaruar se nuk do të largohen derisa të vendoset drejtësi për vrasjen e aktivistit.

Partia Kombëtare e Qytetarëve, e formuar nga studentët që udhëhoqën protestat e vitit të kaluar që çuan në dorëheqjen e kryeministres së atëhershme Sheikh Hasina, paralajmëroi për më shumë dhunë më vonë gjatë ditës. Ndërkohë, rreth 1,500 njerëz u mblodhën në mënyrë paqësore në Xhaminë Kombëtare të Dakës pas lutjeve të së premtes në një tubim të thirrur nga partia islamiste Khelafat Majlis.

Sharif Osman Hadi, 32 vjeç, ishte zëdhënës i lëvizjes Inquilab Mancha (“Platforma për Revolucion”) dhe kishte marrë pjesë aktive në protestat që rrëzuan Hasinën. Ai u qëllua në kokë nga burra me kapuç në Daka të premten e kaluar, ndërsa nisi fushatën e tij zgjedhore. Fillimisht u dërgua në një spital lokal dhe më pas në Singapor, ku përfundoi në aparatura për gjashtë ditë, kur dhe ndërroi jetë.

Gjatë natës, videot në mediat sociale kapën vandalizimet në zyrat e gazetave më të mëdha të vendit, Prothom Alo dhe Daily Star. Departamenti i zjarrfikësve njoftoi se zjarri në ndërtesën e Daily Star ishte nën kontroll, ndërsa trupat u dërguan në zonë dhe zjarrfikësit shpëtuan gazetarët e bllokuar.

Bangladeshi është qeverisur nga një administratë kalimtare e udhëhequr nga laureati i Çmimit Nobel, Muhammad Yunus, që nga gushti i vitit 2024, pasi Sheikh Hasina iku në Indi. Qeveria po përballet me protesta të përsëritura për vonesat në reforma, ndërsa partia e Hasinës, Lidhja Auami, është ndaluar nga procesi zgjedhor përpara zgjedhjeve të 12 shkurtit.

Në një deklaratë, qeveria u bëri thirrje qytetarëve të rezistojnë ndaj çdo forme dhune nga turma, të cilën ia atribuon “elementëve të skajshëm”, duke theksuar se vendi është në një pikë kritike të tranzicionit të tij demokratik. Ajo gjithashtu u kërkoi falje gazetarëve nga Daily Star, Prothom Alo dhe New Age për sulmet ndaj zyrave të tyre, duke theksuar se “sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj vetë të vërtetës”.

Qeveria gjithashtu dënoi linçimin e një burri hindu në distriktin Mymensingh, në një incident të palidhur, duke u zotuar se ata që janë përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi. Më parë, në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Muhammad Yunus shpalli të shtunën një ditë zie kombëtare në kujtim të Sharif Usman Hadi.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Përmbytje në Dubai & Abu Dabi për Shkak të Stuhive të Forta (video)

Latest from Info