Zelenski Kritikon Ashpër Europën Pas Takimit me Trump-in

/

Zelensk kritikoi ashpër Europën pas takimit me Trump-in: Udhëheqësit e saj nuk i mbrojnë gjithmonë interesat e saj.

Presidenti ukrainas theksoi se Europa “mbetet një kaleidoskop i bukur, por i fragmentuar në fuqi të vogla dhe të mesme”.

Zelenski e krahasoi jetën e përditshme të Ukrainës nën agresionin rus me “Ditën e Marmit”, një përsëritje e pafundme, duke vënë në dukje se vendi i tij ka jetuar të njëjtën situatë “për javë, muaj dhe vite”, pa ndonjë ndryshim thelbësor.

Në veçanti, gjatë fjalimit të tij në Davos, duke iu referuar filmit të njohur amerikan, Zelenski theksoi se të gjithë e mbajnë mend historinë e përsëritjes së pafundme, por askush nuk do të donte të jetonte diçka të tillë në realitet. “E megjithatë, kjo është pikërisht ajo që po na ndodh sot: e njëjta gjë po përsëritet për javë, muaj dhe, sigurisht, për vite”, tha ai.

Presidenti ukrainas kujtoi se një vit më parë kishte theksuar se Europa duhet të dijë si të mbrohet, duke shtuar se “ka kaluar një vit dhe asgjë nuk ka ndryshuar”. Siç tha ai, çdo vit i ri, sjell sfida të reja për Europën, të cilat e largojnë vëmendjen nga problemet e përhershme dhe thelbësore të sigurisë.

Kritika të ashpra ndaj Europës!

Në një kritikë të ashpër ndaj Europës, Zelenski tha: “Europës i pëlqen të flasë për të ardhmen, por shmang ndërmarrjen e veprimeve sot, veprime që do të përcaktojnë se çfarë lloj të ardhmeje do të kemi”.

“Ne të gjithë e shohim se forcat që po përpiqen të shkatërrojnë Europën… veprojnë lirisht, madje edhe brenda Europës. Çdo përfitues që jeton me paratë europiane dhe përpiqet të shesë interesat europiane, meriton një shuplakë në kokë, dhe nëse ndihet rehat në Moskë, kjo nuk do të thotë që ne duhet të lejojmë që kryeqytetet europiane të bëhen si Moska”, theksoi Zelenski.

Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se shpesh i thuhet të mos u përmendë raketat Tomahawk amerikanëve “në mënyrë që të mos ua prishë humorin”, të mos përmendë raketat Taurus, ose të jetë i kujdesshëm kur flet me Turqinë dhe Greqinë.

“Kur bëhet fjalë për Turqinë, diplomatët thonë të mos e ofendojnë Greqinë. Kur bëhet fjalë për Greqinë, ata thonë të jenë të kujdesshëm me Turqinë”, deklaroi ai.

“Në Europë, ka konflikte të brendshme pa fund dhe gjëra që mbeten të pathënë, të cilat e pengojnë Europën të bashkohet dhe të flasë mjaftueshëm sinqerisht për të gjetur zgjidhje të vërteta. Dhe shumë shpesh, europianët kthehen kundër njëri-tjetrit, udhëheqësve, partive, lëvizjeve dhe komuniteteve, në vend që të bashkohen për të ndaluar Rusinë”, tha ai.

Ai shtoi se Europa “mbetet një kaleidoskop i bukur, por i fragmentuar në fuqi të vogla dhe të mesme”. Ai tha se problemi është mentaliteti europian, me udhëheqësit që jo gjithmonë mbrojnë interesat e vërteta europiane.

“Dhe Europa ende duket më shumë si gjeografi, histori, traditë sesa një fuqi e vërtetë politike, jo një fuqi e madhe. Disa europianë janë vërtet të fortë, është e vërtetë, por shumë thonë se duhet të qëndrojmë të fortë, dhe ata gjithmonë duan që dikush tjetër t’u tregojë sesa kohë duhet të qëndrojnë të fortë, mundësisht deri në zgjedhjet e ardhshme.”

“Nuk mund të ndërtosh një rend të ri botëror vetëm me fjalë!”

Zelenski vazhdoi fjalimin e tij duke u thënë udhëheqësve europianë se “na duhet diçka për të zëvendësuar rendin e vjetër botëror, por ku janë udhëheqësit që janë gati të veprojnë?”. Siç paralajmëroi ai “nuk mund të ndërtosh një rend të ri botëror vetëm me fjalë – veprimet krijojnë rend të vërtetë. Le t’i japim fund kësaj Dite të Marmit”.

Ai madje e krahasoi qëndrimin e Europës, me vendosmërinë e SHBA-ve për të vepruar, duke thënë se BE-ja nuk duket se ka një pikëpamje të qartë mbi “Këshillin e Paqes” të SHBA-së për Gazën.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

19 Vende në Këshillin e Paqes - Vetëm Bullgaria & Hungaria nga BE-ja

Latest from Info