Të shtëna me armë zjarri në konsullatën amerikane në Toronto të Kanadasë, në atë që policia e quan ‘incident i sigurisë kombëtare’.
Nuk raportohen të lënduar, por siguria është rritur në ndërtesat diplomatike amerikane dhe izraelite në Toronto dhe Ottawa.
Dy burra qëlluan disa herë në konsullatën amerikane në Toronto orët e para të së martës, në atë që policia e përshkroi si një “incident i sigurisë kombëtare”, duke nxitur mbrojtje të shtuar për ndërtesat diplomatike amerikane dhe izraelite në qytet.
Individët iu afruan konsullatës në qendër të Torontos, dolën nga një SUV i bardhë dhe qëlluan disa herë me një pistoletë drejt konsullatës, u tha gazetarëve Frank Barredo, zëvendësshefi i policisë së Torontos.
Kishte njerëz brenda në atë kohë, por “kjo ndërtesë është shumë e sigurtë, shumë e fortifikuar dhe nuk pati të lënduar”, tha Barredo.
Chris Leather, shefi i policisë federale të Kanadasë, tha se të shtënat ishin “padyshim një incident i sigurisë kombëtare sepse konsullata amerikane … u godit nga armë zjarri”.
Leather, i Policisë Mbretërore Kanadeze të Kalorësve, tha: “Nëse është një [ngjarje] terroriste, kjo do t’i nënshtrohet hetimit”.
Leather u tha gjithashtu gazetarëve se protokollet e sigurisë po përforcohen në ndërtesat diplomatike amerikane dhe izraelite në Toronto dhe në kryeqytetin kanadez, Ottawa.
“Mendoj se është mjaft e qartë, bazuar në incidentet në Toronto dhe gjetiu, se këto konsullata meritojnë masa të shtuara vigjilence dhe sigurie në këtë kohë”, tha Leather.
Fundjavën e kaluar pati protesta jashtë konsullatës për të denoncuar luftën në Lindjen e Mesme të shkaktuar nga sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Tre sinagoga në zonën e Torontos janë goditur gjithashtu nga të shtënat me armë zjarri ditët e fundit, por nuk janë raportuar të lënduar.
I pyetur për një lidhje të mundshme midis të shtënave në sinagogë dhe të shtënave me armë zjarri në konsullatën amerikane, Barredo tha se ishte “shumë herët” për të bërë një lidhje.
Por, shtoi ai: “nuk i shohim (incidentet) të izoluara. I shohim së bashku ato”.
Leather tha se Policia Mbretërore Kanadeze e Kalorësve po punonte me FBI-në për të shtënat në konsullatë, si dhe me Shërbimin Kanadez të Inteligjencës së Sigurisë.

