“Do të bëjmë gjithçka që mundemi”: Ministri i Jashtëm hungarez informon Lavrovin për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj oligarkut rus në një bisedë të regjistruar.
Publikimi i bisedës 94-sekondëshe vjen pas një raporti të Washington Post se Ministri i Jashtëm hungarez dyshohet se ka ndarë informacione të ndjeshme me Rusinë gjatë takimeve të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
Një fragment i regjistruar i një bisede telefonike midis Ministrit të Jashtëm hungarez Péter Szijjártó dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, në të cilën zyrtari hungarez duket se ofron ndihmë për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj një të afërmi të një oligarku rus, është publikuar nga një ekip gazetarësh investigativë.
Në audion 94-sekondëshe, të publikuar në kanale të ndryshme online dhe të zbuluar nga portali investigativ Insider, Lavrov i kërkon Szijjartos të ndihmojë në heqjen e Gulbahor Ismailova – motrës së oligarkut rus Alisher Usmanov – nga lista e sanksioneve të Bashkimit Europian. Homologu i tij hungarez përgjigjet me droje dhe thotë se është i gatshëm ta adresojë kërkesën e Moskës.
“Po ju telefonoj me kërkesë të Alisherit dhe ai më kërkoi t’ju kujtoj se po punonit për çështjen e motrës së tij”, thuhet t’i ketë thënë Lavrov, Szijjartos. Ministri hungarez përgjigjet se “së bashku me sllovakët, po i paraqesim një propozim Bashkimit Europian për ta larguar atë”.
Publikimi i bisedës vjen në një kohë të presionit të shtuar politik mbi Szijjártón, pas një raporti të Washington Post se ai dyshohet se ka ndarë informacione të ndjeshme me Rusinë gjatë takimeve të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
Çështja merr një rëndësi të veçantë ndërsa Hungaria shkon drejt zgjedhjeve parlamentare më 12 prill, me ndikimin e huaj dhe marrëdhëniet e qeverisë me Moskën, si çështje kyçe në debatin parazgjedhor.
Biseda midis Szijjártós dhe Lavrovit u regjistrua më 30 gusht 2024, nga persona të panjohur, menjëherë pasi ministri hungarez u kthye në Budapest nga Shën Petersburgu. Në audio, Szijjártó thotë se do të paraqesë një propozim për të hequr emrin e Ismajilovas nga lista e sanksioneve “javën e ardhshme”, duke vënë në dukje se “në fillim të periudhës së re të shqyrtimit, do të jetë në axhendë – ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta hequr atë”.
Sipas rregulloreve të Bashkimit Europian, sanksionet rinovohen çdo gjashtë muaj me unanimitet të shteteve anëtare. Ismailova, së bashku me biznesmenin rus Vjacheslav Moshe Kantor dhe Ministrin e Sportit Mikhail Degtjarev, u hoqën përfundimisht nga lista e sanksioneve në mars 2025.
Szijjártó nuk e mohoi, por minimizoi përmbajtjen e bisedës.
Bashkimi Europian kishte ndërprerë marrëdhëniet politike me Rusinë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të zvogëlojnë gradualisht varësinë e tyre nga lëndët djegëse fosile ruse. Pavarësisht udhëzimeve përkatëse, Hungaria dhe Sllovakia mbajnë kontakte të rregullta të nivelit të lartë me zyrtarët rusë dhe vazhdojnë të importojnë sasi të konsiderueshme të energjisë ruse.
Pasi regjistrimi u bë publik, Szijjártó minimizoi rëndësinë e çështjes dhe akuzoi shërbimet e huaja të inteligjencës se kishin monitoruar bisedat e tij telefonike.

“Është e ditur prej kohësh që shërbimet sekrete të huaja – me pjesëmarrjen aktive të gazetarëve hungarezë – po përgjojnë bisedat e mia telefonike. Sot përgjuesit bënë një tjetër “zbulim” të madh: ata vërtetuan se unë them të njëjtat gjëra në publik dhe në telefon. Punë e mirë!”, tha ai në një postim.

