Ozgur Gökçe akuzohet për ndërmjetësim dhe pastrim parash përmes aplikacioneve dixhitale.
Autoritetet turke kanë arrestuar Özgur Gökçe, vëllain e shefit të kuzhinës me famë botërore Nusret (Salt Bae), si pjesë e një hetimi të madh për një rrjet prostitucioni të miturash. Operacioni, i koordinuar nga Zyra e Prokurorit të Küçükçekmece, zbuloi një rrjet të gjerë që vepronte përmes aplikacioneve të telefonisë celulare.
Sipas të dhënave nga Shërbimi i Hetimit të Krimit të Organizuar, të përfshirët ndërmjetësuan dërgimin e grave, përfshirë të mitura, në hotele dhe rezidenca. Policia zbuloi se rrjeti përdorte llogari bankare të palëve të treta për të mbledhur komisione, duke u përpjekur kështu të pastronte të ardhurat nga aktivitete të paligjshme.
Një ekzaminim financiar i transaksioneve të dyshimta gjatë vitit të kaluar zbuloi flukse prej afërsisht 15 milionë lirash, një shumë që vlerësohet se ka ardhur tërësisht nga prostitucioni. Më 17 prill, u kryen bastisje të njëkohshme në 14 adresa në qytete si Stambolli, Ankaraja dhe Samsuni, duke çuar në arrestimin e 13 të dyshuarve.
Nga të arrestuarit, shtatë u lanë në paraburgim, përfshirë vëllain e Nusretit, ndërsa gjashtë të tjerët u liruan me kusht. Hetimet po vazhdojnë për të çmontuar plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar të gjithë individët e përfshirë, që ofruan hapësirë ose lehtësuan aktivitetet e rrjetit.


