Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hartojnë planin për vendosje taksash të tjera shtesë ndaj BE-së, që shkojnë në vlerën 3.1 miliardë dollarë, për produkte të BE-së. Kjo është një lëvizje tjetër e Shteteve të Bashkuara, e Presidentit Trump, një armë që Presidenti po përdor kundër Bashkimit Europian të gjermanizuar dhe që do të kthehet në një betejë më të gjerë ndëratlantike duke filluar që këtë sezon vere.
Kush do të gjunjëzohet vallë në këtë përplasje? Amerika e djathtë patriotike, apo Europa majtiste globaliste?
Përfaqësia tregtare e SHBA-së planifikoi dhe dëshiron të vendosë taksa në produkte të eksportit të shteteve të BE-së, si: ullinj, birrë, pije alkoolike, automjete, mjete lundrimi, produkte të qumështit dhe mishit, njoftim i bërë nga faqja e tyre zyrtare në Web para një muaji. Njoftime të tilla qëndrojnë për 30 ditë në Amerikë, në mënyrë që të merret edhe mendimi, opinioni i publikut, kryesisht i sipërmarrësve. Kjo datë përfundoi më 26 qershor, tani më, Qeveria Amerikane do të kalojë në hapat e mëtejshëm të zyrtarizimit dhe formalizimit të vendimit.
Kjo lëvizje, apo ky vendim përputhet me shtyrjen prej 6 muaj të masave të taksave të Qeverisë Trump , për mallrat europiane, si kundërpërgjigje ndaj subvencionimeve të paligjshme të Brukselit, të BE-së domethënë, për kompaninë “Airbus SE”.
Nëse SHBA kalon në masa për taksa, ato normalisht duhet të hyjnë në fuqi në muajin shtator pasi deri atëherë OBT-ja (Organizata Botërore e Tregtisë), pritet që të vendosë nëse Bashkimi Europian mundet ligjërisht të vendosë edhe ajo taksa për produkte amerikane, taksa këto që kalkulohet të arrijnë vlerën e 11,2 miliardë dollarëve, si kundërpërgjigje ndaj subvencionimeve të paligjshme të Amerikës, për kompaninë “Boeing”.
Taksat e reja që pritet të vendosen nga SHBA janë në 100% të çmimit, gjë që do të çojë në dyfishim të çmimit të produktit tek konsumatori, për rrjedhojë do të jetë i pamudur eksporti në tregun amerikan, pasi produkti nuk do të arrijë të shitet për shkak të çmimit të lartë dhe të pakonkurueshëm. Sipërmarrësit europianë janë shumë të shqetësuar për mungesës e një tregu si Amerika, që konsiderohet tregu më i madh dhe më konsumator në botë, veçanërisht në një periudhë krize ekonomike, si kjo mes së cilës po kalon Europa “e bashkuar”.
***
Jetojmë në Europën, apo në Bashkimin Europian që gjendet përkrah një shteti diktatorial si Kina dhe përballë, në kundërshti të shumta, me superfuqinë ekonomike, me Amerikën.
A mund ta mendonte ndonjëherë ndokush që Perëndimi do të ndahej në dysh, dhe njëra gjysmë, ajo europiane, do të shkonte drejt lindjes komuniste për të bërë pakte bashkëjetese ekonomiko-tregtare dhe jo vetëm.
Sa për të kthejlluar arsyetimin tonë dhe për të parë sesi globalizmi majtist po shkatërron Europën mjaftojmë të sjellim një shifër zyrtare:
Gjermania shet / eksporton çdo vit në Amerikë, afro 3.5 milionë automjete, që pas shtatorit, me masat e reja të taksave, nuk do të mund të eksportohen më! Një humbje nga tregu gjeman i më shumë se 120 miliardë dollarëve, vetëm nga sektori i automobilave.
Humbjet e shteteve anëtare të BE-së nga ky sistem taksash, mbyll një treg si Amerika për eksporte, me një kosto të munguar në prodhim dhe në të ardhura për sipërmarrjen europiane, prej shumë trilionë dollarësh.
***
Kur të zgjohen europianët, të gjithë urojmë të mos jetë vonë!