Arpagonët e PPSH-së të ndarë, sigurisht jo me short, por me laps më dorë, në PS dhe PD, i uli Ramizi i Katovicës dhe Nexhmia e valicës, në Parlamentin që shqiptarëve këmbëzbathur dhe militantëve kokëngjeshur ua prezantuan dhe ua servirën si pluralist, si parlament vallaha multipartiak dhe shumëngjyrësh politikisht.
Drejtuesit bisha të partive parlamentare si motra, pjella në ilegalitet të një mitre, me direktiva të qarta dhe udhëzime të detajuara, morën përsipër të mashtronin popullin me gazeta dhe barcaleta, me ideale dhe fekale, me tym e me bym, me protesta dhe festa, me sherre dhe potere, me dekrete dhe maryfete, me fjalime dhe ligjërime, duke patur gjithmonë parasysh mësimet e diktatorit, se populli do: propagandë – festë – kafshatë, dhe për ata që ngrehin kokë, kazmë, shatë dhe në fund lopatë (me dhé shoqëruar ndonjëherë edhe me një dekoratë: “rënë për mëmëdhe”).
Demokratura allá Katovicë po vinte me hap të rëndë dhe të sigurtë, për të pllakosur për tre dekada, vendin e “shqiponjave”. Potere dhe batërdi dhe më pas një qeveri për vallahá stabilokraci, me Bufin në krye, si për t’u thënë shqiptarëve: prisni edhe pak, edhe fare pak, sa t’u marrim pronën, sepse më pas u vjen liria, demokracia, Europa dhe gropa.
PS, PD dhe zvarranikë politikë, të gjithë pro Reformës së Dytë Agrare, pro një prej ligjeve fondamentale të Katovicës. Toka iu rrëmbye pronarëve të vërtetë dhe iu nda, si të ishte “xhaxhit” gjallë (nuk denjoj t’ia përmend emrin diktatorit), atyre që e punonin. PS kërkonte që toka t’u jepej fshatarëve që nuk e kishin pronë, në përdorim. E majtë kjo parti, ndaj dhe e donte tokën shtetërore. Ylberi në Shqipëri u bë monokrom kur hasi qëndrimin e PD-së për këtë çështje. Partia “e djathtë”, po e zbatonte Katovicën me më shumë rigorozitet, po u përmbahej direktivave të marra nga PPSH, ndaj dhe i mëshoi alternativës për tua dhënë fshatarëve tokën në pronësi.
Veçoj këtu dhe vlen të gjithë të kujtojmë mendimin kundër të arkitektit, deputeti të PD-së, Petraq Kolevica. Të tjerët pas berihajt.
Kë tokë po u jepte në pronësi PD-ja fshatarëve dydynymsha?
Kujt po ja merrte tokat PD-ja dhe PS-ja, shtetit monist, apo pronarëve legjitimë?
Kë ishte duke pushkatuar, asgjësuar PD-ja me Reformën Agrare 7501?
Pronarët, padyshim! Ata ish kapitalistët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj të këtij vendi, ata të deklasuarit, të cilëve ua kishte rrëmbyer Reforma e Parë Agrare e 45-s tokën dhe pronën.
Kë shtresë po grabiste dhe bastiste PD-ja me ligjin 7501?
Shtresën që normalisht duhet ta përfaqësonte, shtresën që duhet ta vinte në krye të drejtimit të institucioneve, shtresën së cilës duhet t’i kthente pronat që i kishte rrëmbyer regjimi diktatorial antropofag.
PD-ja vrau veten? Jo! Kurrësesi! Përkundrazi, pasi votoi ligjin e demokraturës karikaturë, erdhi për herë të parë në pushtet. Pasi ua votoi komunistëve ligjin, ata i dhanë pushtetin. Sepse ky vend, ku nuk u derdh gjak për përmbyjen e sistemit është i destinuar të mbetet komunist dhe të drejtohet prej tyre, apo pasardhësve të tyre.
Ja, pak më të kthjellët dhe pak më skeptikë duhet të ishin brezat në atë kohë, që të kuptonin se PS ishte një e majtë marksiste e paepur për mos dorëzuar pushtet dhe pronë shtetërore, ndërsa PD ishte një patericë për Katovicë.
PD-ja i cilësoi që në orën e parë të demokraturës, pronarët si ish-pronarë dhe prej marrjes së pushtetit, i trajtoi si plaçkë zgjedhore, por nuk mundi të bëhej e besueshme për një kohë të gjatë, shpejt i doli boja. Në kohën e PD-së, më pas edhe të PS, fletë nga regjistrat e Kadastrave griseshin, zhdukeshin, falsifikoheshin, derisa prona u tjetërsua thuajse tërësisht edhe në dokumentacion, për të mos lënë më gjurmë fikse shkresore dhe të padiskutueshme në arkivat e shtetit.
Toka u zhbë.
Më pas filloi revanshi me pronat e shtetit monist dhe pronat e pronarëve legjitime.
PD-ja shitësin e bëri pronarin e dyqanit ku shiste, sikur ta kishte trashëguar nga mama-babai i tij, apo i saj. Dyqani ishte ndërtuar mbi pronën e dikujt, por ja që shitësi vlente më shumë se pronari, të cilin kush e di ku e kishte degdisur komunizmi. Tornitorit PD-ja i dha uzinën, e bëri sipërmarrës të madh. Uzina dikur pronë e shtetit, e ndërtuar me fonde nga puna e shqiptarëve, mbi pronën e dikujt. Sërish pronari i përdhosur, nga partia që priste të sillte historinë në vendin e duhur. Bukëpjekësit i dha furrën, apo fabrikën e miellit. Saldatorit i dha ofiçinën, etj. Dhe kështu saga e privatizimeve intelektualin dhe pronarin e varrosi. Arsimtari nuk privatizonte dot klasën, shkollën, palestrën apo oborrin e shkollës. Mjeku nuk mund të privatizonte klinikën, ambulancën, pavionin, apo spitalin. Historiani nuk privatizonte dot muzeun. Arkitekti, Ekonomisti, inxhinieri, agronomi, nuk privatizonte dot Institucionin e Shtetit, Bashkinë, Komitetin etj., ku dhe punonte. Intelektualët mbetën në skamje dhe në rrugë pa krye, me vullnetin e PD-së. Disa më kodoshët, nga këta të administratës publike, që bërtisnin apo korruptonin, për t’i kënaqur nga pak, u dha nga një kioskë dhe i ktheu në shitësa, kuzhinierë, garsonë rakie për fshatarët dhe klasën punëtore që staciononte tek “tymka” kioskë, për një pauzë, nga maratona e kilometrove që bënin më këmbë, nëpër qytete dhe lokalitete, atje ku tregëtia matrapaze dhe ekonomia kaotike kishin pushtuar shehse, trutuare, bulenarde dhe godina.
Çeku i bardhë, u nxiu jetën përfundimisht pronarëve, pas Reformës së Dytë Agrare 7501.
Më pas prona iu delegua një Agjensie për Kthimin e Pronave, ku pronat nuk ktheheshin, as nuk kompesoheshin realisht, por “vlerësoheshin” vallaha. PD-ja fillimisht dhe PS-ja në vazhdim, një pronë të palujtshme e kishte të barazvlefshme me çmimin e një kioske lëshuar mbi trotuar. Prona e palujtshme po vlerësohej për kompesim si të ishte pronë ambulante.
Më pas, PD-ja e Demokraturës hapi një “thes” ku i ftoi shqiptarët të hidhnin paratë e tyre, sepse “magjistari” i padukshëm me ‘abra kadabra’ do ua shtonte. Yxhym shqipet ia mbushën thesin PD-së, që për roje-drejtorë të thasëve nëpër rrethe, kishte njerëz të PS-së. Dhe jo si me magji, por si për llahtari, “thesi” u zhduk. Shqipet nuk fluturuan dot, por u tërbuan dhe rrokën armët që u dha PD-ja me sehirxhi PS-në dhe po vrisnin më pas njëri-tjetrin. Trazirat thërrisnin për kurban.
Më pas, vite shumë më pas, PD-ja pasi e pa që veprën e saj katoviciane nuk e kishte kryer dhe përmbushur siç duhej, krijoi një Institucion, që të paligjshmen, të kundraligjshme, ilegalen, informalen e legalizonte dhe emri i saj: ALUIZNI.
Ai fshatari dydynymsh për frymë, donte edhe ndonjë shtëpi në kasaba, helbete, diku në periferi, ku ende ca prona e kishin një pronar në letër, por fizikisht të surgjynosur në vend tjetër, mund të zaptohej. Por jo vetëm fshatari, por edhe gansteri, horri dhe vulg-qytetari që ndërtoi mbi pronën e dikujt tjetër, tek PD-ja gjeti shpëtim, teksa kjo parti “e djathtë” ja legalizoi grabitjen.
PS-ja? Po PS-ja ç’bënte vallë?
Sehir sërish PS-ja, me puro dhe me mikrofon në gojë, fliste për Saliun me taborë dhe ëndërronte ikjen edhe të pronarëve të fundit me pamporë. Kur erdhi në pushtet, me dorën e saj i thoshte grabitësit të pronës, thyesit të ligjit dhe ushtruesit të informalitet: “të ma gëzosh shtëpinë dhe katandinë.”
Pronari në shënjestër. Epo si mund t’i linin pronarit pronë, që t’u hante të zo’në?! Kurrësesi!
Më pas na sollën në partinë e Demokraturës një djalë të ri, që do ta çonte PD-në në stade të tjera, Shqipërinë diku pranë Europës, ekzaktësisht nuk na u tha, por pranë do të ishim me Perëndimin gjithësesi.
Historitë dhe bëmat e Bashës së bab’ Ramës dhe nan’ PS-së i dini, i dinë, i dimë të gjithë.
Kush e ka dëgjuar këtë “të djathtin” e PD-së, që epiteti “zhage” i ngjit si me zamkë, të flasë për pronat dhe kapitalet e pronarëve legjitimë, le ta votojë!
Kush e ka dëgjuar këtë “brillantinën” të flasë për të përndjekurit politikë, që ende nuk kanë marrë këstin e 3-të nga 7 këstet e burgut, le ta votojë!
Kush e ka dëgjuar këtë të shiturin me ndonjë ide të djathtë konservatore le ta votojë!
Kush e ka dëgjuar këtë “hollandezin” të flasë për lustracion në PD dhe në shtet, le ta votojë!
Kush e ka dëgjuar këtë “marionetën” të flasë dhe të rrëfehet, për marrëveshjen e 17 majit, le ta votojë!
Kush e ka dëgjuar “zhagen” të flasë për dënim të komunizmit dhe nxjerrjen e tij si të paligjshëm në Shqipëri, le ta votojë!
Kush beson se ky hazard politik, ky Sorosian, anti-Trump-ist mund dhe duhet ta drejtojë Shqipërinë, le ta votojë!
***
Dy fjalë për ty “zhage” në krye të PD-së:
“Toka, pronat ua rrëmbyet ju, ju drejuesit ndër vite të PD-së dhe Demokraturës, pronarëve legjitime, që sot ose mbijetojnë në vetmi me pensionin e skamjes, ose kanë marrë arratinë.
Kakofon i Pushtetit, arpagon monedhofag, mos u shfaq më përpara të djathtëve pronarë, të djathtëve konservatorë, sepse teksa u vidhnit mes ligjeve të Demokraturës Legjislative PRONËN, u rrëmbenit dhe u përdhosnit DINJITETIN.
I cënuat dinjitetin elitës së vendit dhe sot kërkoni sërish pushtet. Veçse turp!
Për Dinjitetin e përdhosur nuk ke folur kurrë ti, ti i përzgjedhur i Katovicës dhe Reformës së Dytë Agrare, sepse ti (ju) ke ardhur që të vazhdosh teatrin politik të mashtimeve dhe vjedhjeve. Por tashmë ti je i dalë boje!”
Dhe kështu, elitat e vendit, pronarë, fisnikë dhe arstokratë, njerëz të ndershëm dhe punëtorë, me peshën mbi shpinë të dy Reformave Agrare dhe të cënuar në dinjitet, kurrësesi nuk mund të jenë votues të Demokraturës, as sot, as mot, as kurrë!
85 vjet demagogji!
I mprehtë lapsi!