Presidenti i Republikës është përfaqësuesi i shtetit shqiptar në vendet e tjera, por përgjegjësitë e tij kushtetuese janë të kufizuara. E megjithatë Presidenti duhet të luajë rolin e tij fondamental të unitetit të shtetit, theksoj të shtetit, por jo të popullit. Unitetin një populli ia japin, gjaku, tradita, kultura, zakonet, gjuha, historia e të tjera.
Populli nuk mund të jetë i unifikuar politikisht, partiakisht, ideologjikisht, sociologjikisht, për nga përkatësia fetare, për nga përkatësia klasore, është për nga natyra e pamundur dhe pikëtisht ky diversitet e bën edhe më vitale, edhe më dinamike jetën socio-politiko-ekonomike të çdo populli në shtetin ku jeton.
Kështu që Presidenti nuk është person as uniteti dhe as unifikimi! Është një përfaqësues, në thelb politik, në demokraturën shqiptare.
***
Dje, në një përçartje prej inaçori dhe në një mësymje prej demi përpara bezes së kuqe, na u shfaq presidenti i Partisë Socialiste dhe teksa çirrej për kreun e sturkturës politike që e bëri president, u thoshte shqiptarëve në mënyrë taksative, se do u bëhet prijës, kundër kreut të Partisë Socialiste.
Kush tha që Presidenti i Partisë Socialiste mund të bëhet prijësi im? Kush e vendos këtë? Ai apo unë? Kush i jep të drejtën presidentit të Partisë Socialiste të më imponohet mua si prijësi im? Si mund të bëhet prijës i imi një njeri që nuk është zgjedhur prej meje?
Unë dhe çdo qytetar, nuk kemi nevojë për prijësa në një demokraci parlamentare, në një ekonomi të tregut të lirë, kurrsesi! Ne kemi nevojë për teknicienë dhe profesionistë që të drejtojnë shtetin, gjë e papërmbushur deri më sot, teksa hajdutët dhe kusarët, mes tyre edhe ky, na kanë uzurpuar shtetin dhe kanë instaluar demokraturën për 30 vite.
Unë nuk jam shqiptari që kam bajrak në konak dhe dyfek në çardhak, që e shkrep, kur prijësit imagjinar, sot President i Partisë Socialiste, i konfiskojnë për shembull vilën, pronë në Gjirin e Lalzit, apo kur i cënojnë kaklulimet elektorale të partisë, pronë e bashkëshortes.
Bajraku im është fillimisht fjala ime dhe më pas vota ime. Këtu fillojnë dhe mbarojnë detyrat e mia si qytetar.
***
Kush e solli në pushtet Ramën, në vitin 2013, kur ne shkruanim dhe zëlart thoshim se një neodiktaturë po vjen? Presidenti!
Kush e mbajti në pushtet Ramën? Presidenti!
Kush pranoi të bëhej president, me gjysmën e parlamentit bosh dhe vetëm me votat e Partisë Socialiste? Pra, me më shumë se gjysmën e popullit kundër. Presidenti!
A ka moral ky president t’u kërkojë shqipëtarëve të ngrihen kundër Partisë Socialiste dhe Kryeministrit që ai e fronëzoi në pushtet?
A ka moral ky president që në vend të largohet nga pushteti, t’u kujtojë sërish shqiptarëve të ngrehin bajrakun? E për kë ky bajrak? Mendon dhe shpreson akoma se shqiptarët do të ngihen për të mbrojtur atë, familjen e tij, pronat e tij, partinë e tij?
Në politikë nuk ka falje! Populli nuk është Perëndi që të falë gabimet e ndokujt, e aq më pak të shtetarëve që e thundrojnë. Në politikë ka akte përgjegjësi, kush gabon, kërkon falje dhe largohet.
Nëse presidenti kërkon integrimin e Shqipërisë, le të shkrijë parlamentin, qysh sot dhe në të njëjtën kohë të shpallë largimin e tij nga politika, duke dorëzuar edhe postin e Presidentit që ia fali Partia Socialiste. Gjithashtu t’i dorëzohet drejtësisë për hetim, kontroll, vetting dhe të na bindë se është i përgjegjshëm politikisht dhe kombëtarisht.
Nëse del i pastër, i pacënuar dhe i papërlyer, nuk do të mbetet më hajdut dhe makut në politikën shqiptare, atëherë ndoshta do i ketë të gjitha të drejtat, të na prijë.
Për momentin le të shkrijë parlamentin, le të largohet nga politika dhe le t’i dorëzohet drejtësisë.
Hiqe këmbën zvarrë President!