Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka kritikuar ashpër BEnë për politikën e saj të sanksioneve kundër Rusisë, gjatë një vizite të tij në Beograd.
“Xhuxhët e energjisë i vendosin sanksione një gjiganti dhe të gjithë ne që ndodhemi pranë tij vuajmë më shumë”, tha Orban nga Beogradi, i cili u nderua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, për kontributin e tij në zhvillimin e marrëdhënieve serbo-hungareze.
Viktor Orbán në konferencën për shtyp deklaroi se qeveria e tij ka pikëpamje diametralisht të kundërta me politikën e BEsë ndaj Rusisë.
“Është e lehtë të planifikosh dhe të aplikosh politikë sanksionesh nga Parisi, Brukseli dhe Berlini, por jo për ne që jemi më afër vendit të sanksionuar, Rusisë. Kush është më afër e vuan më shumë situatën. Kështu që nuk duhet të jetë befasi që pozicioni i Hungarisë është larg nga ai i Brukselit, 2000 kilometra larg”, tha Orban.
Kryeministri i Hungarisë ka shprehur nevojën që BE të rishikojë politikën e saj të sanksioneve, duke argumentuar se ato dëmtojnë Evropën më shumë se Rusinë.
Viktor Orbán e quajti politikën e sanksioneve një “anekdotë të trishtë” dhe theksoi se nuk e merr seriozisht rezolutën e djeshme të Parlamentit Europian, ku vlerësohet se politika e qeverisë hungareze cënon vlerat europiane, ndërsa administrata e Orbanit denoncohet si jodemokratike.
“Mendoj se kjo rezolutë i përket fushës së shakave, por nuk po qeshim më, sepse shakaja ka katandisur e mërzitshme. Po e bëjnë për herë të dytë apo të tretë dhe tani nuk i numëroj më ato që bëjnë”, tha Orban.