Shefi i Wagner pranoi se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.
“Kuzhinieri i Kremlinit” bëhet rus i parë që pranon se po përpiqet të ndikojë në politikën amerikane.
Në një pohim befasues, lideri i organizatës paramilitare ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, konfirmoi se ai është i përfshirë në zgjedhjet amerikane. Pohimi i tij është i pari në nivelin e bashkëpunëtorëve të afër të Presidentit Putin.
I ashtuquajturi “kuzhinier i Kremlinit”, sipas komenteve të postuara nga zyra e shtypit e kompanisë së hotelierisë ‘Concord’ në faqen e Facebook të Rusisë ‘Vkontakte’, tha: “Kemi ndërhyrë (në zgjedhjet në SHBA), po ndërhyjmë dhe do të vazhdojmë të ndërhyjmë. Me kujdes, saktë, kirurgjikisht dhe në mënyrën tonë, siç dimë të bëjmë”.
Deklarata u lëshua një ditë përpara zgjedhjeve afatmesme në SHBA dhe ishte në përgjigje të një kërkese për koment nga një faqe interneti ruse e lajmeve. Në të njëjtën kohë, ai bëri një koment mjaft të çuditshëm: “Gjatë operacioneve tona të sakta, ne do u heqim menjëherë nervat dhe mëlçinë menjëherë”, tha ai, pa dhënë detaje.
Ai ka pranuar se është themeluesi i ‘Wagner’.
Prigozhin menaxhon kontratat e ‘catering’ me Kremlinin përmes kompanisë së tij. Ai është akuzuar zyrtarisht për financimin e “fermave troll” me bazë në Rusi, që përpiqen të ndikojnë në politikën amerikane.
Në korrik, Departamenti Amerikan i Shtetit ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione në lidhje me “ndërhyrjen e Prigozhin në zgjedhjet e SHBAve”. Në të njëjtën kohë, partneri i besuar i Presidentit Putinit është vënë në shënjestër të sanksioneve të SHBAsë, Bashkimit Europian dhe Britanisë.
Deri vonë, Prigozhin mbajti një profil të ulët, megjithatë pas pushtimit ushtarak të Ukrainës, ai filloi të dilte në pah, duke kritikuar edhe gjeneralët rusë.
Në shtator, biznesmeni pranoi se kishte themeluar grupin paramilitar rus ‘Wagner Groum’, të lidhur me Kremlinin, me operacione në Siri, Afrikë dhe Ukrainë.
Një qendër e teknologjisë së mbrojtjes u hap prej tij në Shën Petersburg, të premten e kaluar.
*Këto janë lëvizje në skakierën gjeopolitike për të krijuar tension dhe parregullsi në Amerikë. Loja e Rusisë duket se është përtej parashikimeve të perëndimorëve.
Nëse kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, kanë qenë pro Trump. Nëse kanë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020, paskan qenë pro Biden. Dhe nëse ndërhyjnë tani me deklaratë paraprake, janë kundër të dyja palëve dhe pro kaosit në Amerikë!