Apostull Joani

/

4:1-21

1 Të dashur, mos i besoni çdo fryme, por provoni frymërat nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë dolën në botë.

2 Nga kjo e njihni Frymën e Perëndisë; çdo frymë që rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.

3 Edhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; edhe kjo është fryma e antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se vjen, edhe që tani është në botë.

4 Ju djemthit e mi, jeni nga Perëndia, edhe i keni mundur ata; sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë.

5 Ata prej botës janë; prandaj prej botës flasin, edhe bota i dëgjon ata.

6 Ne jemi nga Perëndia; ai që njeh Perëndinë, na dëgjon; ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Nga kjo e njohim frymën e së vërtetës edhe frymën e mashtrimit.

7 Të dashur, le të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia, edhe kushdo që ka dashuri ka lindur prej Perëndisë edhe e njeh Perëndinë.

8 Ai që nuk ka dashuri, nuk e njohu Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri.

9 Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: se Perëndia Birin e tij, të vetëmlindurin, e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij.

10 Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shlyerje për mëkatet tona.

11 Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin.

12 Asnjë s’e ka parë Perëndinë ndonjëherë. Nëse duam njëri-tjetrin, Perëndia mbetet ndër ne dhe dashuria e tij është e përsosur ndër ne.

13 Nga kjo e dimë, se mbetemi në atë, edhe ai në ne, sepse na ka dhënë nga Fryma e tij.

14 Edhe ne e kemi parë dhe dëshmojmë se Ati dërgoi Birin Shpëtimtar të botës.

15 Ai që të rrëfejë se Jisui është Biri i Perëndisë, Perëndia mbetet në atë, edhe ai në Perëndinë.

16 Edhe ne e kemi njohur dhe e kemi besuar dashurinë që ka Perëndia për ne. Perëndia është dashuri; edhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Perëndinë, edhe Perëndia në atë.

17 Në këtë është e përsosur dashuria me ne, që të kemi guxim në ditën e gjyqit; sepse siç është ai, kështu jemi edhe ne në këtë botë.

18 Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka ndëshkim dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.

19 Ne e duam atë, sepse ai i pari na deshi.

20 Në thëntë ndonjë se dua Perëndinë, edhe urren vëllanë e tij, është gënjeshtar; sepse ai që s’do të vëllanë, të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë të cilin s’e ka parë?

21 Edhe këtë urdhërim e kemi prej tij: Ai që do Perëndinë, të dojë edhe të vëllanë.

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Valë Dorëheqjesh nga Twitter

Next Story

57% e të Rinjve Marrin Medikamente për Sëmundje Psiqike & Mendore

Latest from Info