Zëvendësministri italian i Shëndetësisë Marcello Gemmato deklaroi se: “Nuk kemi prova që vaksinat kundër Covid-19 janë efektive”.
Çështje në Itali pas deklaratave të tij është bërë temë e ditës.
Është hera e parë që një zyrtar qeveritar në Itali ka shprehur publikisht shqetësimin e tij për efektivitetin e vaksinës. Për ta bërë këtë, fillimisht duhej të bëhej një ndryshim serioz i qeverisë dhe të vinte në pushtet koalicioni i së djathtës italiane.
Zëvendësministri i shëndetësisë i Italisë ndezi polemika, duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar efektivitetin e vaksinave kundër Covid-19.
I pyetur në një program të televizionit publik Rai për mundësinë e një numri të madh vdekjesh në Itali nëse nuk ekzistonte vaksina, Marcello Gemmato u përgjigj:
“Ju e thoni këtë, mirëpo nuk kemi prova të kundërta se çfarë do të ndodhte”, ka theksuar ai për të shtuar më pas se, “unë nuk bie në grackën e qëndrimit pro apo kundër vaksinave”.
Gemmato, me profesion farmacist, mik i ngushtë i Melonit dhe ish deputet i partisë “Fratteli d’Italia”, si deputet kundërshtoi vendosjen e pasaportës shëndetësore dhe vaksinimin e detyrueshëm kundër Covid-19.
Sigurisht që nuk kanë munguar reagimet nga rrethet e njohura të infeksionistëve.
“Si mund të themi se nuk ka asnjë provë shkencore që vaksinat kanë shpëtuar jetën e miliona njerëzve? Duhet të lexoni literaturën shkencore”, u përgjigj specialisti i sëmundjeve infektive Matteo Bassetti në Twitter.
Nga ana e tij, kreu i partisë ‘Action’, Carlo Calenda, bëri thirrje për dorëheqjen e Marcello Gemmato. “Një zëvendësministër i shëndetësisë që nuk distancohet nga lëvizja pa vaksinë është në vendin e gabuar”, tha ai.
Kreu i Partisë Demokratike Enrico Letta i kërkoi gjithashtu të jepte dorëheqjen për të njëjtat arsye.
Ish deputeti i djathtë shpjegoi në një deklaratë se ato që kishte shprehur ishin nxjerrë jashtë konteksti.
“Vaksinat janë armë të vlefshme edhe kundër koronavirusit, fjalët e mia janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë instrumentalizuar”, tha ai. Ministri italian nuk tha asgjë më shumë dhe asgjë më pak se ajo që kanë thënë vetë kompanitë farmaceutike që kanë prodhuar vaksinën, që kjo është ende e patestuar, por se në treg ka dalë me ngut për shkak të emergjencës.
Italia ishte vendi i parë në Europë që u godit nga pandemia e koronavirusit në fillim të vitit 2020. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, numri i të vdekurve që nga 10 nëntori është 179.985.