Partenoni kundërshton me sukses teorinë e inxhinierisë moderne të ndërtimit.
Sekreti zbulohet pasi studimet tregojnë se, pavarësisht se tempulli i Partenonit në Akropol nuk ka as themel, ai ka një mbrojtje të trefishtë sizmike.
Sipas inxhinieres së ndërtimit Niki Timotheu, studimet e formës arkitekturore dhe strukturore të saj treguan se në antikitet kishin zbuluar atë që ne sot e quajmë “izolim sizmik”. Tempulli, sipas zonjës Timotheu, bie ndesh me sukses me teorinë e inxhinierisë moderne të ndërtimit, sepse pa pasur themel është trefish i izoluar për nga ana sizmike.
Ky izolim i trefishtë, siç na shpjegoi ajo, ndodhet në pjesë të ndryshme të objektit. Pika e parë është në shtresat e mermerëve të mëdhenj horizontalë dhe jashtëzakonisht të lëmuar mbi të cilat qëndron Partenoni.
E dyta vërehet në nyjet elastike metalike që lidhin pllakat e çdo shtrese dhe që në qendër janë kunja të vogla hekuri, rreth të cilave është derdhur plumb (plumbi ka vetinë të mbrojë hekurin nga ndryshku dhe të dobësohet me elasticitetin e çdo vale, meqenëse një pjesë e energjisë së saj kinetike shndërrohet në energji termike).
Dhe e treta gjendet në kolonat e ndërtesës, të cilat nuk janë të vendosura në një pjesë, pasi grekët e lashtë e dinin se për t’i bërë ballë dridhjeve të tokës, ato do të duhej të vendoseshin në feta, të aplikuara në mënyrë perfekte njëra mbi tjerën.
Rezultati i kësaj formule të trefishtë izoluese, siç vuri në dukje zonja Timotheu, ishte se valët sizmike sipërfaqësore lëviznin njërën shtresë të pllakave të mermerit, mbi tjetrën, në të njëjtën kohë që fugat shpërndanin energjinë kinetike të zhvilluar nga tërmeti! Kolonat, më në fund, në mënyrën sesi ishin vendosur, lejojnë që e gjithë godina të lëkundet, por të mos shembet.